2011-12-23 17:39:34

Salvatore Martinez për fjalët e Papës para Kuries: feja e gjallë e ndryshon historinë


T’i japësh gjallëri një feje shpesh të lodhur me gëzimin, që vjen nga siguria se Zoti na do: ky është thelbi i fjalës së djeshme të Papës para Kuries Romake. Çdo reformë e Kishës, nënvizoi Benedikti XVI, nuk do të ketë rezultat nëse, paralelisht me të, nuk bëhet edhe kthimi i zemrave drejt Zotit, në takimin e vërtetë me Krishtin. Folëm për këtë me presidentin italian të lëvizjes karizmatike “Përtëritja në Shpirtin Shenjt”, Salvatore Martinez:
Ati i Shenjtë, në përfundim të këtij viti jashtëzakonisht të vështirë për shtetet, për tregjet, për popujt, na tregon një udhë të sigurtë për të dalë nga kriza. Pohon krejt qartë se baza, thelbi i të gjitha krizave është shpirtërore: ja përse na përgjigjet me fe të vendosur; ama me fe të gjallë se ka edhe fe të ngordhur. Feja vdes, kur vdes parësia e Zotit. Por të krishterët nuk mund të heqin dorë prej Tij në kohë krize! Prandaj, Ati i Shenjtë mbyll një vit e hap një tjetër, që ia kushton pikërisht temës së fesë, duke ripropozuar aktualitetin e përvojës së krishterë, me gëzimin për të qenë të krishterë. E ky takim me personin e gjallë të Jezu Krishtit, jo vetëm ndryshon jetën, por ndryshon historinë!
Papa e quajti Ditën Botërore të Rinisë në Madrid, ilaç kundër lodhjes e bezdisjes nga krishterimi. Është një mënyrë e re për të qenë të krishterë…
…e kishim frikë se mos dështonte, sepse Evropa duket se ka alergji jo vetëm nga rrënjët e veta të krishtera, por ngre në qiell egoizmin e dorëheqjes. Në Spanjë, të rinjtë dëshmuan altruizmin e dhurimit të vetvetes; pohuan se është e mundur të perceptohet dashuria e Zotit. E atëherë, shqetësimet tona janë të kota, ky pesimizëm e kjo mungesë shprese duhet t’ia lënë vendin një optimizmi të ri. Optimizmi zë vend në atë që beson, në atë që e di se tek feja gjen forcën e vërtetë për ndryshime. Të rinjtë, me entuziazmin, me gëzimin e tyre, na thonë se nuk ka një mënyrë të re për t’i besuar Zotit: mënyra është po ajo. Është përvoja e takimit të vazhdueshëm me Personin e Jezu Krishtit. Kjo na dhuron gëzim, ky është stili i jetës së krishterë të çdo brezi e të çdo kohe.
Papa përmendi Afrikën, gëzimin e të krishterëve të saj, duke e krahasuar me lodhjen e të krishterëve në Evropë…
Takimi me këto Kisha na bën të kuptojmë sa shumë përvoja e krishterë na çon drejt fesë së gjallë. Janë të varfërit ata, të cilët na mësojnë të mos dëshpërohemi, sepse e vetmja gjë, që mund të bëjnë, është të shpresojnë. Është shpresë krijuese, ndërtuese, shpresë që kthehet në dinjitet për një popull, i cili nuk heq dorë nga traditat e veta, nga kujtesa e vet… Këtë na dëshmojnë këta popuj.







All the contents on this site are copyrighted ©.