Përfunduan predikimet e Ardhjes para Krishtlindjes në Vatikan. Përgjigjja ndaj britmës
së ankthit të njeriut
Atë Kantalamesa tha se sot në botën e shekullarizuar laikët e krishterë mbërrijnë
me Ungjillin atje, ku nuk mund të mbërrijnë priftërinjtë. Laikët sot “në planin shpirtëror
janë një lloj energjie bërthamore e Kishës “ e këndej protagonistët e parë të ungjillëzimit
të ri. Janë pikërisht ata, duke paguar edhe personalisht, që i japin përgjigje britmës
së dëshpëruar shpreh në pikturën e famshme të piktorit norvegjez Evdard Munch: “Jemi
para një britme të tmerrshme, plot ankth, britmë rrënqethëse, britmë e zbrazët, pa
fjalë, vetëm tingull”. Ky është përshkrimi më efikas i njeriut modern i cili, pasi
e ka harruar britmën plot përmbajtje, që është kerygma, çirret më kot, në përpjekjen
për t’i kumtuar botës ankthin e ekzistencës së tij të zbrazët”. Këtë pohoi rregulltari
kapuçinë Raniero Kantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, në homelinë e katërt
e të fundit, në përgatitje të Krishtlindjes të Kuries Romake. Laikët e krishterë,
e sidomos familjet, nuk mund të mënjanohen nga veprimtaria ungjillëzuese, tha atë
Raniero Kantalamesa, duke përfunduar, sot paradite, ciklin e predikimeve të Kohës
së Ardhjes, para Krishtlindjes, mbajtur para Papës e Kuries Romake, në Vatikan. Në
meditimin e katërt e të fundit predikatari papnor pohoi se besimtarët laikë kanë një
rol shpesh edhe më të rëndësishëm se vetë kleri, në veprimtarinë e përhapjes së Ungjillit
në mjediset e shekullarizuara .E quajti ‘bota e katërt’, atë Kantalamesa, këtë,
që e vuri në qendër të vëmendjes në reflektimin e fundit: e katërta, sipas ndarjes,
që kapuçini u bëri valëve ungjillëzuese gjatë dymijë vjetëve të historisë së Kishës.
Pasi foli, në tre predikimet e para, për rolin e ipeshkvijve, protagonistë të kumtimit
të Krishtit në botën greko-romake; rolin e murgjërve, në atë barbare; të rregulltarëve,
në botën amerikane, sot u ndalua tek roli i besimtarëve laikë dhe tek aftësitë e tyre
për të depërtuar deri në skajet e në skutat më të harruara të botës së shekullarizuar
“pas-kristiane”. Natyrisht, pohoi predikatari, nuk mund të takohesh me një njeri,
që ka humbur çdo lidhje me Kishën, që nuk di më as kush është Jezusi e t’i paraqesësh,
me një frymë, njëzet shekuj doktrinë e traditë. Prandaj duhen kërkuar rrugë gjithnjë
të reja. E, në se nuk mund të ndryshojë thelbi i kumtimit, mund e duhet të ndryshojë
mënyra e paraqitjes, natyrisht, duke bërë përpjekje për të gjetur rrugë sa më krijuese
për t’ia kumtuar Krishtin kësaj bote të zbrazët, që pret ta mbushim përsëri: “Kemi
një aleat të fortë në këtë përpjekje: dështimin e të gjitha orvatjeve të botës së
shekullarizuar për ta zëvendësuar kerygmën e krishterë me ‘britma’ të tjera e manifeste
të tjera. E kujtoj shpesh shembullin e veprës së piktorit të famshëm norvegjez, Edvard
Munch, titulluar ‘Ulurima’. Jemi para një britme të tmerrshme, plot ankth, britmë
rrënqethëse, britmë e zbrazët, pa fjalë, vetëm tingull. Më duket se në të shikoj njeriun
modern i cili, pasi e ka harruar britmën plot përmbajtje, që është kerygma, çirret
më kot, në përpjekjen për t’i kumtuar botës ankthin e shpirtit të tij të zbrazët”. Ndërsa
me Ungjillin është krejt ndryshe: mund ta rinisim kumtimin e vërtetë, jetik që nuk
është, shpjegoi atë Kantalamesa, as ‘trillim i mendjes’ e as ‘gërmim arkeologjik’,
sepse Krishtin e kemi bashkëkohës. Krishti jeton ndërmjet njerëzve të sotëm, ashtu
si dymijë vjet më parë, falë Eukaristisë. Më pas predikatari papnor kujtoi se
Koncili II i Vatikanit, pranë e pranë me ata, që i shërbejnë drejtpërdrejt Hostes,
rizbuloi protagonizmin e laikëve në veprimtarinë ungjillëzuese. Këta të fundit, e
posaçërisht familjet, kanë një fuqi të tillë, që mund të krahasohet me procesin e
zbërthimit të atomit; e kjo, në planin shpirtëror, i bën një lloj energjie bërthamore
në gjirin e Kishës: “Nuk janë thjesht bashkëpunëtorë të thirrur për të dhënë ndihmesën
e tyre profesionale, kohën e burimet e tyre; mbartin karizma, me të cilat, na kujton
Lumen gentium, janë të përshtatshëm e të gatshëm të realizojnë vepra e të kryejnë
detyra, që ndikojnë fuqimisht për risimin dhe përhapjen më të madhe të Kishës”. Laikët,
përsëriti atë Kantalamesa, janë pikërisht ata, që mund të shkojnë në kërkim të të
largtëve, shumë më me sukses se barinjtë, për të cilët është më lehtë ta ushqejnë
njeriun me Fjalën e Zotit e me Sakramentet, që mbarështohen në Kishë: “Shembëlltyra
e deles së humbur sot paraqitet e kthyer përmbys: nëntëdhjetë e nëntë dele kanë ikur
e vetëm një ka mbetur në vath. Rrezikohemi ta kalojmë gjithë kohën duke ushqyer atë
një, që ka mbetur, e të mos na teprojë asnjë çast i lirë, edhe për shkak të mungesës
së klerit, për t’u nisur e për të kërkuar grigjën e humbur. Në këtë drejtim, roli
i laikëve është providencial. E një rol edhe më të rëndësishëm luajnë lëvizjet kishtare.
Kontributi i tyre i veçantë në veprimtarinë ungjillëzuese është t’u krijojnë të rriturve
mundësinë për të rizbuluar pagëzimin e tyre e për t’u bërë anëtarë aktivë e të impenjuar
të Kishës”. Gjithsesi, nuk jemi të pa armatosur! E kemi një armë të fuqishme. Me
të në brez, mund të hyjmë pa frikë në botën e eklipsit të Zotit, ku sundon shkencizmi
e racionalizmi, vijoi predikatari papnor, duke u bërë jehonë fjalëve të shqiptuara
dje nga Papa: është arma e gëzimit: “Dëshmia më e besueshme që të gjithë, të nderuar
etër e vëllezër, kler e laikë, të rinj e të vjetër, mund të japim për Ungjillin, është
pikërisht gëzimi. T’i tregojmë botës se Krishti na e mbush me gëzim e paqe gjithë
jetën tonë. Fjala ‘ungjillëzim’ duket në Shkrimin Shenjt pikërisht Natën e Krishlindjes;
përmbajtja e saj është gëzimi: “Ju kumtoj një gëzim të madh; “Evangelizo vobis gaudium
magnum”, u tha engjëlli barinjve. Gjuhë, kjo, të cilën e kuptojnë të gjithë”. Fjalët
e fundit të reflektimit, atë Kantalamesa ia kushtoi Krishtlindjes, duke e mbyllur
predikimin e katërt të Kohës së Ardhjes 2011, me një pyetje, që zgjon ndërgjegjet
e përgjumura e që e patën bërë, shekuj më parë, Origjeni, Shën Agostini e Shën Bernardi: “Ç’dobi
kam unë pse Krishti lindi dikur në Betlehem nga Maria, në se nuk lind përsëri e përsëri,
për virtyt të fesë, në zemrën time?”.