2011-12-23 17:38:54

Benedikti XVI për funeralin e Vaclav Havel: mbrojtës guximtar i të drejtave të njeriut.


Afërsia e Papës Benediktit XVI në dhimbjen e Kombit çekë për vdekjen e ish presidentit Vàclav Havel është shpreh në një telegram drejtuar presidentit Vàclav Klaus, teksti i të cilit është lexuar nga kardinali Giovanni Koppa, përfaqësues personal i Benediktit XVI në ceremoninë e funeralit kremtuar sot paradite më 23 dhjetor, në Katedralen e Shën Vitos në Pragë.
Vaclav Havel i mbrojti me guxim të drejtat e njeriut, në një kohë kur popullit çek i mohoheshin sistematikisht. Kështu shkruan Benedikti XVI në një telegram ngushëllimi, në të cilin kujton figurën e liderit të “Revolucionit të kadifenjtë”, që ndërroi jetë të dielën e kaluar, në moshën 75 vjeçare. Papa ishte shpirtërisht pranë të gjithë atyre që, sot paradite, u mblodhën në Katedralen e Shën Vitos, në Pragë, për salikimet solemne të burrit të shtetit e shkrimtarit të shquar çek. Benedikti XVI nënvizon udhëheqjen vizionare të Vaclav Havelit për formimin e sistemit të ri demokratik, pas shembjes së regjimit komunist dhe falënderon Zotin për lirinë, që gëzon sot populli i Republikës çeke.

Mesazhi i Papës u lexua nga ish-nunci apostolik, kardinali Gjovani Kopa, gjatë funeralit të shtetit të Atij, që ishte themeluesi i lëvizjes për të drejtat civile e njerëzore “Karta 77”, i fundmi president i Çekosllovakisë e i pari i Republikës çeke. Mesha e dritës u kremtua sot paradite, në katedralen e Pragës, kushtuar Shenjtorëve Vito, Vençeslao e Adalberti. Liturgjinë e kryesoi kryeipeshkvi i qytetit, kryetari i Konferencës ipeshkvnore çeke, imzot Dominik Duka, shok qelie i Havelit në burgun famëkeq të Pizenit, ku prifti e shkrimtari ishin vënë në pranga si kundërshtarë të rreptë të regjimit komunist.
Gjatë homelisë, kryeipeshkvi kujtoi se ëndrra më e dashur e Havelit ishte që e vërteta e dashuria të fitonin mbi gënjeshtrën e mbi urrejtjen. E për ta bërë realitet këtë ëndërr të bukur, ai nuk kurseu asgjë: vuri në themel të së vërtetës e e të lirisë, penën e jetën.
Në Meshën e dritës, në të cilën bashkëkremtoi edhe ipeshkvi ndihmës i Pragës, imzot Vaclav Mali, morën pjesë 12 presidentë, tre Princa e rreth 30 delegacione të huaja që, në mesditë, duke u bashkuar me 10 milionë e gjysëm çekë, mbajtën një minut heshtje, ndërsa të gjitha këmbanat e kishave, duke rënë përnjëherësh, e mbushën atmosferën me tingujt e tyre të përmortshëm.
Pas ritit solemn, përfunduar me këngën e lashtë liturgjike për nder të Shën Vençeslaut, në të cilën kujtohen emrat e të gjithë pajtorëve të kombit çek, një çast përkujtimor, gjatë të cilit folën disa nga autoritetet e pranishme.
Pasdite, lamtumira e fundit nga familjarët, në krematorin e Pragës.
Dita e tretë dhe e fundit e zisë kombëtare, me të cilën u bashkua edhe Sllovakia, e prandaj Requiem u shqiptua si në çekisht, ashtu edhe në sllovakisht, përfundoi me një koncert për nder të liderit të vdekur, urna me hirin e të cilit do të varroset në varrin e familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.