2011-12-22 15:30:16

Papa në takim me kardinajtë e Kurien Romake: përgjigjja për krizën e fesë vjen nga gëzimi i DBR-së


“Thelbi i krizës së Kishës në Evropë është kriza e fesë”. Ilaçi kundër kësaj krize gëzimi, që rrjedh nga Ditët Botërore të Rinisë, të cilat i japin kuptim të ri të qenit të krishterë. Ky ishte thelbi i reflektimit të gjatë të Benediktit XVI me Kurien Romake, sot paradite, në takimin tradicional për shkëmbimin e urimeve të Krishtlindjes. Papa përmendi etapat më të rëndësishme të veprimtarisë vjetore, duke u përqendruar në veçanti, mbi temën e ringjillëzimit të kontinentit të vjetër e duke marrë si shembull Ditët Botërore të Rinisë, nga ku nxorri pesë pika, që mund t’i ndihmojnë të krishterët ta përtërijnë jetën e besimin e tyre në Zotin.
Benedikti XVI bëri një fotografi të Evropës bashkohore, e cila duket sikur e vuan të qenit të krishterë, duke ia kundërvënë Afrikës – të cilën e pa kohët e fundit, përmes vizitës në Benin – ku preket me dorë “gëzimi i të qenit të krishterë”:
“Nga ky gëzim lindin edhe energjitë për t’i shërbyer Krishtit në situatat shtypëse të vuajtjes njerëzore, për t’u vënë në dispozicion të Tij, pa menduar vetëm për mirëqënien personale. Takimi me këtë fe, të gatshme për çdo flijim - e pikërisht për këtë, plot gëzim - është një ilaç i fuqishëm kundër lodhjes së të qenit të krishterë, që ndjejmë në Evropë”.
Pra Veriu i pasur, për mënyrën si e koncepton Kisha botën, është sot pjesa më e varfër dhe më e varfëruar e globit, në krahasim me Jugun e tij. Deri në atë pikë, sa Papa ka krijuar struktura, si dikasteri për Ungjillëzimin e Ri e, ka shpallur periudha të veçanta, si “Viti i fesë”, në përpjekjen për ta ndryshuar këtë gjendje:
“Thelbi i krizës së Kishës në Evropë… është kriza e fesë. Nëse nuk gjejmë përgjigje për të, nëse feja nuk gjallërohet, duke u bërë bindje e thellë dhe forcë e vërtetë, falë takimit me Jezu Krishtin, të gjitha reformat e tjera nuk do të kenë rezultat”.
“Si ta shpallim Ungjillin sot?”. Kësaj, që është më e madhja e pyetjeve për Kishën e sotme e të nesërme, Benedikti XVI iu përgjigj me origjinalitet, duke përshkruar pesë pika të trashëgimisë, që kanë sjellë Ditët Botërore të Rinisë gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve. Pikësëpari, në këto Ditë përjetohet “një përvojë e re e katolicitetit dhe e universalitetit të Kishës”, gjatë së cilës njerëz me preardhje e kultura të ndryshme takohen me Krishtin dhe e kremtojnë me mënyrën e tyre:
“Liturgjia e përbashkët përbën një lloj atdheu të zemrës e na bashkon në një familje të madhe. Fakti që të gjithë njerëzit janë vëllezër e motra është këtu jo vetëm një ide, por bëhet një përvojë e vërtetë e përbashkët, që krijon gëzim”.
Pikërisht prej këndej, prej këtij uniteti, lind mënyra e re e të qenit njerëz, e të qenit të krishterë, theksoi Papa. Më pas, Benedikti XVI mori si shembull ata 20 mijë vullnetarët, që për javë e muaj, iu përkushtuan me korp e me shpirt organizimit të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid:
“Këta të rinj, ofruan plot fe një pjesë të jetës, jo sepse ua kishte urdhëruar ndokush e jo sepse kështu do të fitonin qiellin; as sepse kështu largoheshin nga rreziku i ferrit. Nuk e bënë, sepse donin të ishin të përsosur… Këta të rinj bënë të mira – megjithëse me punë të rëndë e me sakrifica – thjesht sepse të bësh mirë është bukur, të jesh për të tjerët është bukur. Duhet vetëm të kesh guxim për ta bërë këtë hap”.
Të rinj që, me një fjalë, “nuk shihnin pas, nuk shihnin vetveten”. Në të kundërt, të krishterët e sotëm të botës perëndimore sillen si gruaja e Lotit në Bibël, e cila duke parë mbrapa u kthye në një shtatore kripe:
“Sa herë, jeta e të krishterëve karakterizohet nga fakti se shohin sidomos vetveten, bëjnë të mira, si të thuash, për vetveten! E sa i madh është tundimi për të gjithë njerëzit të shqetësohen para së gjithash për vetveten, të shohin pas vetes, duke u zbrazur nga brenda, duke u bërë “shtatore kripe”!”
Në pikën e tretë, Ati i Shenjtë vuri në dukje “adhurimin e Zotit”, si element shpirtëror të rëndësishëm të Ditëve Botërore të Rinisë, gjithnjë protagonist i një “heshtjeje të brendshme” impresionuese para Hostes së Shenjtë, pavarësisht nga turmat pa fund e anë dhe nga koha e keqe, siç ndodhi këtë vit në Madrid. E së bashku me Eukaristinë, edhe pika e katërt, që del nga këto takime oqeanike të rinjsh: prania e “Sakramentit të Pendimit”, përjetuar me natyrshmërinë, që mungon shpesh gjetiu. Ndërsa pika e pestë lidhet me faktin, e denoncuar nga Papa në fillim të reflektimit me Kurien Romake, se kriza ekonomiko-financiare, që kërcënon sot Evropën, është sidomos “krizë etike”. Është pikërisht mungesa e etikës, që bën të mos kenë më rëndësi arsyet, që çojnë drejt sakrificave, për hir të të varfërve. Dyshimi për praninë e Zotit në histori, shpjegoi Papa, kthehet në mënyrë të pashmangshme në dyshim mbi njeriun e mbi nevojën për ta konsideruar vëlla, që bashkëndan me të tjerët të njëjtin fat. Këtij dyshimi, të rinjtë e Ditëve Botërore të Rinisë i përgjigjen me gëzim:
“Shohim sot si përhapet ky dyshim. E shohim në mungesën e gëzimit, në trishtimin e brendshëm, që mund të lexohet në fytyrat e njerëzve. Vetëm feja na jep sigurinë: është mirë që unë të jem. Është mirë, që unë të ekzistoj si njeri, edhe në kohë të vështira. Feja na bën të gëzuar, duke nisur nga brenda vetvetes. Kjo është një nga përvojat e mrekullueshme të Ditëve Botërore të Rinisë”.
Pasi përmendi udhëtimet ndërkombëtare e italiane, që ka bërë gjatë këtij viti, Papa përfundoi duke folur veçanërisht për takimin e fundit ndërfetar në Asizi të Italisë. “U takuam atë ditë – tha Benedikti XVI – në një atmosferë miqësie e respekti të ndërsjelltë, me dashurinë për të vërtetën e me përgjegjësinë e përbashkët për paqen. Mund të shpresojmë pra, që nga ky takim, të ketë lindur një gatishmëri e re për t’i shërbyer paqes, pajtimit e drejtësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.