Sopranoja e dhjetra roleve në operën shqiptare, Nina Mula është ndarë sot nga jeta,
në moshën 80-vjeçare. Vajza bukuroshe nga Izhevski i Rusise, e talentuar dhe e
apasionuar pas muzikës, nuk e mendonte kurrë se do të behej e njohur në një vend të
vogël e të largët si Shqipëria. Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në
Rusi. E rritur në një familje punëtore por të varfër , Nina, të cilën prindërt e lanë
jetime në moshë të re, i kushtoi të gjithë rininë familjes, deri në ditën kur mësuesja
e saj insistoi të takohej me artisten e njohur ruse Irina Maslenikova. Ishte insistimi
kësaj të fundit që e beri Ninën 18 vjeçare të korte suksesin e parë në jetë, duke
fituar konservatorin e Moskës. Pikërisht në këtë konservator ajo do të njihej me një
student shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin do të bënte ta ndiqte pas drejt
një vendi të vogël, që nga harta iu duk porsi një pikë në oqean. Talenti i saj
u dallua qartazi mes të tjerëve dhe sopranoja Nina Mula, do të emërohej soliste pranë
Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976.
Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës
në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë
më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70. Në vitin ’58, me partner bashkëshortin,
Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi
në “Pranverën” e Tish Daisë. Role e saj që nuk do të harohen në opera janë “Evgeni
Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante
pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në
veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.
Një muaj më parë, me rasti e 80-vjetorit të saj, Teatri Kombetar i Operas dhe
Baletit organizoi një ceremoni festive të mbushur me kujtime dhe interpretime të disa
prej roleve të saj. Një surprizë e bukur për të ishte dhe lidhja përmes videokonferencës
me vajzën e saj nga Parisi, sopranon e njohur Inva Mula. Ajo u largua nga skena
në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që ishte shprehur do të kishte dashur të qëndronte
më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar
me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin
“Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre
e Madhe e Punës”. (marrë nga Balkanweb)