2011-12-22 12:20:49

Mesazhi i Krishtlindjes i patrikut Tval: paqe e drejtë dhe demokraci në Lindjen e Mesme


Dialogu ndërmjet feve si rrugë e paqes: ky është thelbi i mesazhit të Patrikut latin të Jeruzalemit, Fuad Tval, për Krishtlindje. Patriku dënon “çdo dhunë kundër vendeve të kultit”, flet për “pranverën arabe” dhe për dinjitetin e popujve të Lindjes së Mesme, si edhe kërkon respektimin e të drejtave të pakicave e njohjen e shtetit palestinez. Por ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Janë po ato urime gjithmonë: që të realizohet lajmi i Betlehemit, lajm i paqes. Kemi nevojë të arrijë paqja e lajmëruar nga engjëjt, paqja e zemrave, më parë se paqja e jashtme, me takime e marrëveshje ndërmjet popujve. Kemi nevojë të ketë paqe në zemrat e njerëzve, të familjeve, sidomos të familjeve të ndara; të ketë paqe në zemrat e njerëzve që vuajnë, të atyre, që ndjehen të shtypur e të vetmuar…

Ka akoma kaq shumë mjerim. Kemi nevojë që të gjitha lëvizjet e manifestimet, të cilat po përshkojnë Lindjen e Mesme të sjellin një paqe, të drejtë për të gjithë, të sjellin më shumë demokraci dhe dinjitet e të realizojnë dëshirat e personave. Gjithçka quajmë “pranvera arabe” ka rizgjuar gëzimin brenda nesh: është gëzimi, që na bën ta ndjejmë veten qytetarë, pjesë e kësaj toke, pasi ka më shumë demokraci, më shumë dinjitet e dashuri ndërmjet popujve.

Duam paqen në vendet evropiane e në gjithë botën: në këtë shpresojmë e për këtë lutemi. Kërkoj edhe lutjen tuaj, lutjen e atyre që na dëgjojnë: unë kam nevojë për të, ashtu siç ka nevojë Toka e Shenjtë, ashtu siç ka nevojë Jeruzalemi për lutjet tuaja, për shtegtimet tuaja: ejani për vizitë e së bashku do të lutemi për paqen! Zoti ju bekoftë të gjithëve, të krishterë e jo. Gëzuar festat e gëzuar Vitin e Ri! Qoftë vit plot shëndet, paqe e qetësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.