2011-12-21 15:54:19

Udhës së Betlehemit: “Shpirti i Krishtlindjes së tashme”.


Po vijojmë rubrikën “Udhës së Betlehemit”.Të frymëzuar nga vepra e Dikensit, ”Kënga e Krishlindjes” ju ftojmë sot në takimin me Shpirtin e Krishtlindjes së tashme.RealAudioMP3

Pas takimit me Shpirtin e Krishtlindjes së fëmijërisë e të rinisë, burri rikthehet në krevatin e tij me perde të mëndafshta, ku s’gjen dot paqe. Kthehet në Krishtlindjen e heshtur. Të trishtuar. Pa prindër. Pa miq. Pa vallëzim. Pa buzëqeshje. Pa Shpellën e Betlehemit, pa Krishtin. Pa, pa, pa…. Kthehet e bën çmos të zhytet në gjumë. E të harrojë gjithçka.
Po Shpirti i Krishtlindjes nuk e lë të qetë. I troket e i troket në portë. Është Shpirti i Krishtlindjes së tashme, që i duket me pamjen e një vigani. E merr për dore dhe e çon në familjen e një miku të fëmijërisë, që e ndërtoi jetën ndryshe. Që e çoi në elter Vashën e valleve. Që nuk u tremb nga jeta. Ia hapi portat në dy kanata. E nga ato porta të hapura, në shtëpinë gazmore, që kremton Krishlindjen, hynë shumë fëmijë. Ata shtrëngohen rreth nënës e atit, si ai dikur, me motrat e vëllezërit, në Krishtlindjen e largët të miturisë.
Po shpejt Shpirti i Krishtlindjes së sotme e rikthen në shtëpinë e tij të vjetër, ku nis të dëgjojë ca zhurma të çuditshme, shqetësuese. I duket sikur përjashta krikëllijnë rrotat e karrocës të të vdekurve. Pastaj dëgjon zhurmë zinxhirësh, që zvarisen mbi kalldrëmin e rrugës. Pastaj të gjitha zilet e orëve trokasin përnjëherësh, sikur duan të tregojnë orën fatale, të fundit. Papritmas zhurmat pushojnë frikshëm. Ashtu si nisën. Porta hapet e ai shikon një pamje të tmerrshme. Fantazmën e ortakut, që e nxiti në rrugën e mbrapshtisë. Është i mbështjellë nga koka në këmbë me çaçafin e mykur të vdekjes, prej nga dalin kockat e një dore, që përpiqet ta çjerrë pëlhurën mortore, ta shikojë edhe njëherë mikun, t’i flasë. Por kur bën të zbulojë fytyrën, njëra nga nofullat e kalbura shkëputet e i mbetet në skeletin e dorës. Asaj dore, që diti të shfrytëzojë punën e tjetrit, që diti të intrigojë, të grumbullojë e të e numërojë para, por s’diti kurrë të përkëdhelë, të dhurojë. Burri plak tmerrohet. E pendohet në shpirt për egoizmin e vet, për jetën larg njerëzve, që e donin, që kishte harruar t’i donte. Ndoshta, tepër vonë. Thua është dënuar të ravgojë nëpër botë, pa mundur ta shikojë dritën e Zotit-Foshnje, dritën e Shpellës së Betlehemit? Fantazma e mikut të vjetër është aty, për ta qortuar mikun e gjallë. Sepse për të gjallin shpresa nuk shuhet. Deri në frymën e fundit. Shpirti i Krishtlindjes vjen çdo vit pikërisht për të gjallët. I fton të ndërrojnë rrugë. Po në se do të vijojnë të ecin në rrugën e vdekjes, për ta s’do të ketë as ringjallje. Shpirti i Krishtlindjes së sotme vjen pikërisht për të paralajmëruar ardhjen e një vizite të re. Asaj të Shpirtit të Krishlindjes së ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.