2011-12-21 15:50:09

Udhës së Betlehemit: “Shpirti i Krishtlindjes së ardhshme”.


Të frymëzuar nga vepra e Dikensit, ”Kënga e Krishtlindjes” ju ftojmë sot në takimin me Shpirtin e Krishtlindjes së ardhshme. Shpirti i tretë i Krishtlindjes ia behë në mesnatë. Ka pamjen e një njeriu të gjatë, të gjatë, të mbështjellë nga koka në këmbë me një gunë të zezë. I duket vetëm një dorë, që del nga palat e mantelit të errët. Burri e shikon. E pyet, pastaj. Po Shpirti nuk flet. Është i heshtur, si nata. E tërheq pas vetes vetëm me një gisht. E çon në kryeqytetin që kremton Krishtlindjen, me bredha xixëllues. Poshtë bredhit më të madh, në zemër të kryeqytetit, dy bankierë, miq të tij në shpërdorime e grumbullim të pangopur parash, flasin për salikimet e afërta të një të vdekuri. Njëri, me një ngërdheshje të shëmtuar në fytyrën, që njerëzore nuk mund të quhet, pohon se do të marrë pjesë në funeral, vetëm për të ngrënë darkën, që do të shtohet, pasi ai, tjetri, të zhduket përgjithmonë nën tumbën e dheut. Një varfanjak, që i kishte borxh të vdekurit të panjohur, nuk e fsheh gëzimin për lajmin mortor. Sepse, sado i keq të jetë ai, që do t’ia trashëgojë pasurinë, më i keq se i vdekuri nuk mund të jetë. Pastaj shikon një bankë, ku nëpunësit e të vdekurit, duke u zgërdhirë, ndajnë gjithë ç’kanë mundur të vjedhin nga kamja e zotërisë. Deri tek çarçafi i dekës. E tek këmisha e fundit. Duke e lënë të vdekurin llahtarisht lakuriq. Burri kapet keqas nga kthetrat e ankthit. Kërkon të mësojë kush është i vdekuri, i urryer nga të gjithë. Bërtet. E Shpirti i Krishtlindjes e çon tek shtëpia e tij, që nuk është më e tija. E kanë shitur. Janë shitur edhe të gjitha pronat. Burri tmerrohet. Dëshiron ta shkëpusë dorën nga dora, që e tërheq pas. Po Shpirti i Krishtlindjes e shtrëngon fort. Ai ecën pas tij dhe, papritmas, shikon një gur varri. Mbi të, me shkronja të zeza, emri i tij dhe dy data të thata. Nata i lë vendin agut. Paralajmërimi ka zbritur në fund të fundit të zemrës burrit, që kish harruar se Krishtlindja vjen çdo vit për t’u treguar të gjallëve se, sa ka jetë, ka edhe shpresë. E, sa ka shpresë në Zotin, ka edhe ringjallje.
Burri zgjohet, i mbytur në djersë. Nuk është në varr. Është në krevatin e vet. Është ende shpejt. Po Krishtlindja ka ardhur. E tregon kënga e gëzuar e çirakut të tij të vogël, në kalim poshtë dritares. Burri, që e ka nxënë mirë mësimin e natës, e nis të blejë gjeldetin më të shtrenjtë, që shitet në dyqanin e mishit e t’ia çojë menjëherë familjes së tij të varfër.
Lahet, pastaj, e vishet me rrobat më të mira e del. I përshëndet aq përzemërsisht të njohurit, që kalojnë rrugës, sa ata mbeten të mrekulluar nga një kthesë e tillë e papritur. I fal një grusht me kacille lypësit të vogël, që shtrin dorën mbanë rrugës. Shkon për drekë në shtëpinë e nipit, që e kishte ftuar, më kot, vit për vit. Për të shpëtuar, të paktën ca orë, nga vetmia e tmerrshme, që e rrethonte e ia akullonte për vit më shumë zemrën. Pse dita e Krishtlindjes për të ishte një ditë si gjitha të tjerat. Madje më e keqe se të tjerat. Sepse ditën e Krishtlindjes nuk mund të fitonte. As nëpër mend s’i shkonte se kjo ishte Ditë e Shenjtë. Ditë që e fton njeriun të bëhet më i mirë. Të dhurojë, të dojë, të falë, të këndojë bashkë me Engjëjt: “Lumni i qoftë Zotit në qiell, e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”. Jo, ai e kishte harruar fare këtë këngë….
I pritur me dashuri të madhe, kalon një nga ditët më të lumtura, që i kujton Shpirtin e Krishtlindjes të së kaluarës.
Të nesërmen shkon të vizitojë pronat e veta. I takon me një dashuri të tillë punëtorët, sa ata besojnë se është çmendur. Por shpejt kujtohen se nuk është çmendur. Përkundrazi: i kanë ardhur mendtë në vend! Atëherë të gjithë nisin ta duan. Zemra e tij gjen paqen e dëshiruar.
Shpirti i Krishtlindjes së ardhshme do të ketë përsëri pamjen e Engjëllit të rrethuar me kurorë drite. Engjëllit të fëmijërisë. E do ta marrë rishtas për dore, por jo për ta çuar tek një gropë, me një rrasë mermeri përsipër. Ku mbaron gjithçka. Do ta çojë në një vend, ku drita e Krishtlindjes nuk shuhet kurrë. Ku njeriu takohet me Dritën e bëhet edhe vetë, dritë!







All the contents on this site are copyrighted ©.