2011-12-21 18:27:12

Papa në audiencën e përgjithshme: gëzimi i krishterë i Krishtlindjes nuk duhet të përvetësohet nga aspektet e jashtme të festës.


“Krishtlindja është festë e shenjtë e kristiane, vlera fetare e së cilës nuk duhet të përvetësohet nga aspektet e jashtme”. Me këtë porosi e hapi sot Benedikti XVI katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Në përfundim të takimit të së mërkurës, Papa përshëndeti tre fëmijë katolikë koreanë, fitues të konkursit, shpallur nga vendi i tyre për nder të 60-vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI.RealAudioMP3

Amshimi, që hyn në kufijtë e kohës e të hapësirës; Hyji që, për dashuri, kalon përmes grazhdit të Betlehemit, duke u ulur aq, sa të bëhet i ngjashëm me njeriun. Në një katekizëm, plot çaste vërtet poetike, Benedikti XVI citoi disa nga shprehjet më të bukura, që i ka kushtuar Kisha në shekuj Lindjes së Jezusit. Por nuk harroi të theksonte edhe se Krishlindja e sotme kërcënohet nga rreziku i kremtimit në mënyrë sipërfaqësore, konsumistike, pa hyrë në shpirtin e saj të vërtetë. E, duke kujtuar shprehjen “Gëzuar Krishtlindjen”, që këto ditë është në gojën e gjithë të krishterëve të botës, porositi:
Të përpiqemi që, edhe në shoqërinë aktuale, shkëmbimi i urimeve të mos e humbasë vlerën e thellë fetare e festa të mos thithet nga aspektet e jashtme, që prekin kordat e zemrës. Natyrisht, shenjat e jashtme janë të bukura, të rëndësishme, në se nuk të pengojnë por, përkundrazi, të ndihmojnë ta jetosh Krishtlindjen në kuptimin e saj më të vërtetë: kuptimin e shenjtë e të krishterë, në mënyrë që edhe gëzimi, i cili buron nga festa, të mos mbetet në sipërfaqe, po të hyjë në thellësi të zemrave tona”.
Por, si mund të hyjë sot festa e madhe në thellësi të shpirtit? Si mund ta provojë një emocion të tillë, të paharrueshëm, njeriu i kohëve tona, që njihet si njeri i ndjeshmërisë, i asaj që eksperimentohet empirikisht? Natyrisht, vijoi Papa, duke u nisur nga fakti historik i Jezusit të Nazaretit, i Hyjit, i cili jo vetëm që i foli njeriut, por edhe u bë njeri. E pastaj, në një nivel edhe më shpirtëror, duke ua vënë mirë veshin fjalëve e shenjave të liturgjisë së Krishtlindjes:
Duke treguar se Jezusi lind sot, Liturgjia nuk përdor një frazë pa kuptim, por nënvizon se kjo Lindje përshkon tejembanë historinë. Ne, besimtarëve, kremtimi i Krishtlindjes na kujton edhe një herë se Zoti është me të vërtetë i pranishëm ndërmjet nesh, është mishëruar, pra nuk është larg e, ndonëse vijon të jetë me Atin, është edhe pranë nesh e, në këtë Fëmijë, lindur në Betlehem, i afrohet njeriut; ne tani mund ta takojmë, në një ‘të sotme’, pa perëndim”.
Benedikti XVI, pastaj, tërhoqi vëmendjen në aspektin e Pashkëve të Krishtit, që ndjehen fort edhe në ngjarjen e Betlehemit. Krishtlindja e Pashkët, shpjegoi Papa, janë të dyja festa të shëlbimit:
Pashkët kremtohen si fitore mbi mëkatin e mbi vdekjen: shënojnë çastin përfundimtar, kur lavdia e Njeriut-Zot shkëlqen si drita e ditës; Krishtlindja kremtohet si hyrje e Zotit në histori, duke u bërë njeri, për ta çuar njeriun tek Zoti: shënon, në se mund të shprehemi kështu, çastin fillestar, kur nis të duket ylli i dritës”.
Më pas Papa citoi shumë fragmente, shkëputur nga shkrimet më të bukura, kushtuar Krishtlindjes, ruajtur nga tradita kishtare. E, sipas fjalëve të Gregorit të Madh e të Shën Bazilit, Benedikti XVI e përfundoi katekizmin, duke kujtuar me emocion jo vetëm rëndësinë, por edhe bukurinë e festës, që na troket tashmë tek portat:
Për Krishtlindje ne takohemi me butësinë e me dashurinë e Zotit, që përkulet mbi mjerimet tona, mbi ligështitë tona, mbi mëkatet tona; përkulet deri tek ne. Biri i Zotit lind ende sot, Hyji është vërtet pranë secilit nga ne e dëshiron të na takojë, të na çojë tek Ati. Ai është drita e vërtetë; ai e davarit errësirën, që mbështjell jetën tonë e jetën e mbarë njerëzimit”.
Atmosferë feste, në audiencën e sotme të përgjithshme, si zakonisht në këtë kohë kishtare. Salla e Palit VI ishte plot me tingujt e gajdexhinjve, ardhur nga krahina molisane e Bojanos, të cilët Papa i falënderoi për muzikën e bukur.
Duke përshëndetur grupet e shtegtarëve të gjuhës spanjolle, Benedikti XVI i ftoi që, gjatë festave, të tregohen më të vëmendshëm ndaj njerëzve, të cilët vuajnë në trup e në shpirt. Shpesh, në atmosferën kur të gjithë festojnë e gëzohen, vuajtja bëhet edhe më e padurueshme. Prandaj, sipas Papës, besimtarët nuk duhet të vonohen asnjë çast, kur është fjala për të ndihmuar njeriun, që vuan.
Pastaj urimet e fundit, drejtuar të rinjve, të sëmurëve dhe të posamartuarve :
“Të dashur të rinj, posaçërisht juve, nxënës të Liceut Brauçi të Kaivanos, ju uroj të hyni në misterin e Betlehemit me fenë e Virgjërës Mari;
uroj që ju, të dashur të sëmurë, t’i afroheni Shpellës së Betlehemit me atë gëzim e me atë paqe shpirtërore, që Jezusi vjen ta sjellë në botë;
e juve, të dashur bashkëshortë të rinj, ju uroj ta kundroni vazhdimisht shembullin e Familjes Shenjte të Nazaretit, për të bërë tuajat virtytet e saj e për t’i praktikuar në jetën e përbashkët, të saponisur.
Në audiencën e sotme të përgjithshme ishin të pranishëm edhe tre fëmijë katolikë koreanë, ardhur nga vendi i tyre për t’i dhuruar Papës një tubëz letrash me vizatimet e 33 bashkëmoshatarëve, që fituan konkursin e organizuar nga Ambasada e Republikës së Koresë pranë Selisë së Shenjtë, në bashkëpunim me gazetën katolike koreane Pionghva Shinmun (Gazeta e Paqes), organ i kryedioqezës së Seulit, me rastin e 60-vjetorit të meshtarisë së Benediktit XVI. Në konkurs morën pjesë më se 1220 fëmijë koreanë të moshave të ndryshme.
Natën e Krishtlindjes, gjatë Meshës papnore njëri nga tre fëmijët do të lexojë lutjen e besimtarëve koreanë, ndërsa dy të tjerët, do ta marrin Kungimin Shenjt nga dora e Papës. Përveç kësaj, gjithnjë gjatë Meshës, dy fëmijë koreanë do të marrin pjesë në paraqitjen e dhuratave në elter e dy të tjerë do të çojnë një shportë me lule tek Shpella e Betlehemit që, sipas traditës, do të përurohet pikërisht Natën e Shenjtë, në Bazilikë e në Sheshin e Shën Pjetrit. Ambasada e Republikës së Koresë – shpjegon një komunikatë e vetë përfaqësisë diplomatike - e organizoi këtë konkurs që të falënderonte Atin e Shenjtë për shërbimin e palodhur në dobi të mbarë njerëzimit si dhe për t’i shprehur simbolikisht dashurinë e madhe të popullit korean. Ambasada siguron se kjo ngjarje do t’i shërbejë shumë Kishës dhe shoqërisë, posaçërisht duke i përforcuar në fe katolikët e Koresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.