2011-12-21 12:49:10

Papa: Krishtlindja nuk e humbë domethënien e vet të thellë fetare


Të bëjmë që Krishtlindja “të mos e humbë domethënien e vet të thellë fetare e që festa të mos përthithet nga aspekti i jashtëm. Sigurisht që shenjat e jashtme janë të rëndësishme” atëherë kur “na ndihmojnë ta jetojmë e përjetojmë Krishtlindjen në kuptimin më të vërtetë të saj, atë të shenjtë e të krishterë”. Ky është mesazhi që Papa u drejtoi shtegtarëve në audiencën e përgjithshme mbajtur sot paradite në Vatikan dhe të gjithë besimtarëve të krishterë kudo në botë.
“Liturgjia e Krishtlindjes - kujtoi Benedikti XVI – na udhëheq e çon në misterin e madh të mishërimit. Vet Zoti ka ardhur për të banuar në mesin tonë”. “Kjo lindje e përshkon dhe njom tërë historinë e vazhdon të qëndrojë edhe në realitetin e sotëm”, tha Ati i Shenjtë, duke nënvizuar se “Krishtlindja përtërin bindjen që Zoti është realisht i pranishëm ndër ne, është afër nesh. E ne mund ta takojmë sot, në të sotmen që nuk ka mbarim”.
Papa Ratcinger vërejti se “njeriu bashkëkohor përherë më tepër has në vështirësi për t’i hapur horizontet e për të hyrë në botën e Zotit”, por “ngjarjet e shpëtimit hyjnor janë përherë aktuale, interesojnë, u takojnë të gjithëve njerëzve, sepse Hyji çdonjërit prej nesh i ofron mundësinë për ta njohur” nga afër.
“Ju uroj ta kremtoni Krishtlindjen e vërtetë të krishterë – tha Papa në përfundim të katekizmit të audiencës së sotme -, në mënyrë që edhe shkëmbimi i urimeve të jetë një mënyrë për të thënë e pohuar se Zoti është vërtetë afër nesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.