2011-12-21 12:49:56

Kardinali Bertone në spitalin romak të Krishtit Fëmijë për urimet e Krishtlindjes


Papa i ndjek me vëmendje sukseset dhe impenjimet e Spitalit Pediatrik të Krishtit Fëmijë në Romë: kështu tha dje Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili u takua me pacientët e vegjël e me personelin për urimet e Krishtlindjes.

Lindja e Krishtit, nënvizoi kardinali, është festa e fëmijëve e aty ku ka fëmijë, Qielli derdh gjithë bukurinë e mirësinë e botës. Natyrisht, spitali pediatrik është vend ku vuajnë pikërisht fëmijët, por kjo duhet të na ndihmojë të gjejmë rrugën e shpresës, kuptimin e jetës, që shpesh nuk e kapim në vrapin e përditshëm për të bërë njëmijë punë, pa fituar asgjë e pa shkuar askund.

Duke përmendur Mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes, që flet për rininë, kardinal Bertone theksoi se të krishterët e gjejnë shpresën në Zotin. “Nuk janë ideologjitë, ato që e shpëtojnë botën, por Zoti i gjallë, krijuesi dhe garanti i lirisë, i çdo gjëje të mirë e të vërtetë”.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit falenderoi personelin e spitalit të Krishtit Fëmijë për impenjimin në favor të të sëmurëve të vegjël, që bëhet më pak i vështirë nëse në fytyrat e fëmijëve, punonjësit shohin Fytyrën e Jezusit. Ashtu siç pati thënë Benedikti XVI, gjatë vizitës së tij në spital, më 30 shtator 2005, për këtë arsye, struktura “përfaqëson pararojën e veprimtarisë ungjillëzuese të bashkësisë së krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.