2011-12-20 13:55:06

Udhës së Betlehemit “Shpirti i Krishtlindjes të së kaluarës”


Po vijojmë rubrikën “Udhës së Betlehemit”. frymëzuar nga vepra e Dikensit, ”Kënga e Krishlindjes" ju ftojmë sot në takimin me Shpirtin e Krishtlindjes të së kaluarës, ”.
Në Mesnatën e Krishtlindjes, Krishti Fëmijë troket në të gjitha portat. Jo në portat madhështore prej bronzi të pallateve të mëdha. E as në ato prej druri a prej gardhi, të shtëpive të varfëra e të shpellave, në rrethinat e qyteteve a të fshatrave, përhapur nëpër botë, ku edhe në kohët e fluturimeve kozmike drejt Marsit, vijojnë të lindin foshnje, që gjumin e parë e bëjnë mbi grazhd, si qingjat.
Krishti troket në portat e zemrave. E kur porta hapet, lë aty Shpirtin e Krishtlindjes. Të së kaluarës, të së sotmes, të së ardhmes.
Një mesnatë Krishtlindjeje, në zemrën e një burri, troket Shpirti i Krishtlindjes të së kaluarës. Ka pamjen e engjëllit, me kokën rrethuar nga një kurorë drite, që i jep pamjen e qiririt, e me një kapë, në formën e kapuçit, që përdoret për të shuar qirinjtë e gjatë mbi elter, mbi kokë. Shpirti troket derë më derë. Troket edhe në derën e koprracit plak, që dremit në krevatin e rrethuar me perde mëndafshi. Shpirti i Krishtlindjes së kaluar e merr për dore dhe e çon në kohët që më s’janë. Në fëmijërinë e tij, gjysëm të shuar në kujtesë. Burri bëhet përsëri i vogël. I pafaj. E shikon veten me fytyrë njomzake, me sy gjithë dritë e jetë, në shtëpinë atërore. Pa frikën e së nesërmes. Pa asnjë kundërshtar. Pa asnjë armik. Pa inate, mllefe, urrejtje, hakmarrje. Me vëllezërit e motrat e, sidomos, me nënën e babain. Ata janë pasuria e tij. Dashuria e tij. Ç’mrekulli! Çast tejet i lumtur! Shpella e Betlehemit xixëllon nga dritat e familja shtrëngohet plot shpresë rreth Foshnjes Hyjnore. Ngrohet, nga dashuria, që buron prej grazhdit. Në buzët e të gjithëve lulëzon lulja më e bukur e Krishtlindjes: buzëqeshja! Është buzagazi i pafaj, që koha shpesh e shlyen si me gomë nga fytyrat e njerëzve, duke e zëvendësuar, në rastin më të mirë, me një seriozitet të shtirë, pas maskës të të cilit, fshihet dështimi e dëshpërimi, lakmia e etja e pashuar për pasuri, urrejtja e dëshira për të shtënë në dorë gjithë botën. E edhe përtej saj. Shpirti i Krishtlindjes të së kaluarës e çon, pastaj, koprracin plak, në vitet e rinisë. E ai e shikon veten duke festuar me shokë e shoqe, në një mjedis ku nuk ka ndryshim klasash as ngjyrash. Këndohet. Vallëzohet. E gjatë vallëzimit, njeh Vashën, që do të mund të bëhej shoqja e ditëve më të gëzuara të jetës. I premton se do t’i vërë kurorë. Por vetëm ndonjë ditë më pas, ka frikë ta mbajë premtimin. Trembet nga jeta, plot të papritura. Nga kriza, që e mbërthen pambarimisht ndër kthetra shoqërinë njerëzore. Nga varfëria. Vendos, prandaj, të jetojë fare i vetëm e zemra i bëhet gjithnjë më e ngurtë. E kur Shpirti i Krishtlindjes të së kalurës i kujton të ritë e vet, s’i mbetet tjetër, veçse të këlthasë nga dëshpërimi. E ta lusë fantazmën e vetvetes të mos ikë, të mos e lërë vetëm, të rrijë me të atë Natë të Lume. Ta kalojnë bashkë Krishtlindjen. Po fantazma e rinisë nuk mund ta dëgjojë klithmën e çjerrë e të dëshpëruar të atij, që nuk diti t’ia hapë portën Krishtit, në një natë të ndritshme Krishtlindjeje, kur ishte ende i ri e plot shpresë. Tashmë ajo natë i takon së kaluarës. Natë fantazmë. Thua shpirti i saj vjen vetëm për ta shqetësuar?







All the contents on this site are copyrighted ©.