2011-12-20 13:53:46

Takim ndërmjet Raul Kastros e delegacionit vatikanas për vizitën e Papës në Kubë


Presidenti i Kubës, Raul Kastro priti këto ditë një delegacion të Selisë së Shenjtë, për të diskutuar mbi vizitën e ardhshme të Benediktit XVI, të cilën e lajmëroi vetë Papa më 12 dhjetor, në ditën e festës së Zojës së Guadalupes e të 200-vjetorit të pavarësisë së shumë vendeve të Amerikës Latine.

Në një komunikatë zyrtare, Raul Kastro shpreh gatishmërinë e tij për të ndihmuar në realizimin sa më të mirë të udhëtimit, parashikuar në fund të marsit 2012. Lajmi është marrë nga të gjitha mediat zyrtare, të cilat flasin për këtë ngjarje si kurrë ndonjëherë, duke theksuar “marrëdhëniet e shkëlqyera” ndërmjët Kubës e Selisë së Shenjtë.

Takimi u zhvillua ndërsa Zoja de la Caridad del Cobre, Pajtore e vendit, po kalon nga një famulli në tjetrën, nga një lagje në tjetrën, në vendet më të rëndësishme të Havanës dhe në selitë e institucioneve kishtare, me rastin e shtegtimit kombëtar, organizuar nga Kisha Katolike për 400 vjetorin e gjetjes së figures së Virgjërës Shenjte. Ky shtegtim do të përfundojë me një meshë në shesh të hapur, në Avenida del Puerto, më 30 dhjetor, ndërsa nga 7 janari 2012 do të fillojë Viti Jubilar marian, që do të mbyllet më 5 janar 2013.







All the contents on this site are copyrighted ©.