2011-12-20 16:35:11

Pritja e Krishtlindjes në mendimin e Papës: rrezja e dritës së Betlehemit i shndritë zemrat tona


Pritja e Krishtlindjes në zemrat e të krishterëve përtërin e përforcon “bindjen e shpresës” dhe të dritës që Krishti Fëmijë ka sjell duke asgjësuar frikën që shumë njerëz kanë për të ardhmen. Këto janë disa nga mendimet që Papa Benedikti XVI i ka kushtuar këtyre viteve festës së afërt të 25 dhjetorit, festës së Emanuelit – Zotit me ne. “I krishteri pohon mes tjerash Ati i Shenjtë Ratcinger – e di që drita e Krishtit është e fortë se çdo gjë tjetër e prandaj jeton me një shpresë jo të papërcaktuar e të pa themeltë, jeton në shpresën që jep siguri e jep fuqi për përballimin e së ardhmes”.
“Çdonjëri prej nesh(...) në këtë Kohë që na përgatit për Krishtlindje, mund të pyet: unë, çka pres? Drejt çka apo drejt kujt, në këtë çast të jetës sime, anon zemra ime? E kjo pyetje mund të bëhet edhe në nivelin familjar, kombëtar e të bashkësisë. Çka presim së bashku? Çka i lidhë aspiratat tona, çka i bashkon?” (Lutja Engjëllit të Tënzot, 28 nëntor 2010).
Me këto pyetje mund ta mposhtim dyshimin e mendimit të Krishtlindjes në të cilën askush nuk lind për ne. “Njeriu – tha një herë Papa – është i gjallë derisa pret, derisa në zemër e ka të gjallë shpresën”. Madje, “mund të thuhet – shtoi – se nga pritjet e tij njeriu njihet e vlerësohet”.
“Ndërsa përgatitemi për Krishtlindje, është më rëndësi të përthellohemi në vetvete e të bëjmë një verifikim të sinqertë të jetës sonë. Të ndriçohemi nga rrezja e dritës që vjen nga Betlehemi, drita e Atij që është ‘më i Madhi’ e është bërë i vogël, ‘më i forti e është bërë i brishtë”. (Lutja Engjëllit të Tënzot 4 dhjetor 2011).
Një rreze drite të Betlehemit. Edhe sot Krishtlindja e ndez dritën në çdokënd që beson se Ylli nuk është shuar para dymijë vjetësh, pasi që barinjtë e Dijetarët e Lindjes e lanë shtallën ku e panë Foshnjën Hyjnore. Drita që mbeti e ndezur në atë shpellë Betlehemi përmes së cilës, pohoi Papa, vet Zoti “ personalisht hyri në histori. Burimit të përhershëm të së keqes i kundërvuri burimin e së mirës së pastër. Krishti (...)lumit të ndotur nga e keqja i kundërvë një lum drite. E ky lum është i pranishëm në histori: ti shikojmë shenjtorët, shenjtorët e mëdhenj por edhe shenjtorët e përvuajtur, besimtarët e thjeshtë. Shohim që lumi i dritës që vjen nga Krishti është pranishëm, është i fuqishëm”. (Audienca e përgjithshme, 3 dhjetor 2008).
Një lum drite, ngul këmbë Benedikti XVI, që të krishterëve u dhuron bindjen e shpresës. “Si në Krishtin që bota e ardhshme tashmë ka filluar(...) E ardhmja nuk është errësirë drejt së cilës askush nuk orientohet. Nuk është kështu. Pa Krishtin, edhe sot për botën e ardhmja është e errët, bota ka frikë nga e ardhmja. I krishteri e di se drita e Krishtit është e fortë e prandaj jeton në shpresën jo të pathemeltë, por në shpresën që jep siguri e guxim për të përballuar të ardhmen”. (Audienca e përgjithshme, 12 dhjetor 2008).
Ky është guximi për çka bota sot ka nevojë. E atëherë, përfundoi Papa një vit më parë, e do të përfundonte edhe sot:
“Eja Jezus; eja, na jep forcën e dritës e të së mirës; eja aty ku sundon gënjeshtra, injoranca e Zotit, dhuna, padrejtësia; eja, Zotëri Jezus, jepi përforcoje të mirën në notë e na ndihmo të jemi bartës të dritës tënde, veprimtarë të paqes, dëshmitarë të së vërtetës. Eja Zotëri Jezus”. (Audienca e përgjithshme, 3 dhjetor 2008).







All the contents on this site are copyrighted ©.