2011-12-20 12:02:12

Papa në dialog me të burgosurit: Erdha t’ju them se Zoti ju do!


Drejtësia e mëshira në logjikën e Zotit. Papa Benedikti XVI gjatë vizitës së tij në burgun e Romës 'Rebibbia', të dielën e kaluar, kërkoi respektimin e plotë të dinjitetit të çdo të burgosuri. Drejtësia, mëshira, dashuria: janë pikat themelore të përmendura e të nënvizuara nga Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger gjatë vizitës së tij, të dielën më 18 dhjetor, në burgun romak ‘Rebibbia’. Në fjalimin e tij Papa Ratcinger denoncoi, mes tjerash, gjendjen e vështirë dhe “ndëshkimin e dyfishtë” të të burgosurve të cilët janë detyruar të jetojnë në kushte vërtet dramatike për shkak të numrit tejet të madh të të burgosurve, pra të mbipopullimit të burgjeve. E Benedikti XVI iu përgjigj edhe pyetjeve, që i bënë disa të burgosur:

Pyetje: - Dëshiroj ta pyes Shenjtërinë Tuaj në se ky gjest do të kuptohet, në thjeshtësinë e tij, edhe nga politikanët e qeveritarët tanë, në mënyrë që t’u rikthehet gjithë të fundmëve, përfshirë edhe ne, të burgosurve, dinjiteti e shpresa, që duhet t’i njihet çdo njeriut të gjallë?

Përgjigje: - Erdha sidomos për t’ju dëshmuar afërsinë personale e shpirtërore. Drejtuesit e vendit do të bëjnë ç’është e mundur për ta përmirësuar këtë gjendje, për t’ju ndihmuar të gjeni realisht, këtu, një drejtësi, e cila ju ndihmon të riktheheni në shoqëri me të gjithë respektin, që i takon çdo njeriu”.

Pyetje: - Quhem Omar. Më shumë se t’ju bëj një pyetje, dëshiroj t’ju shpreh vuajtjen tonë e të familjeve tona. Ju dua shumë!

Përgjigje: - Edhe unë të dua e të jam mirënjohës për fjalët, që më prekën thellë në zemër. Erdha, sepse e di që Zoti më pret ndërmjet jush”.

Pyetje: - Quhem Albert. Shenjtëri, a ju duket e drejtë që sot, kur jam bërë njeri tjetër, njeri i ri, e prej dy muajsh, edhe baba i një vajze të mrekullueshme, me emrin Gëzime, nuk më lejojnë të rikthehem në shtëpi, edhe pse e kam paguar, madje me të tepërt, borxhin, që i kisha shoqërisë?

Përgjigje: - Para së gjithash, urime! Jam i lumtur që jeni bërë baba, që e ndjeni veten njeri të ri. Lutem e shpresoj që ta merrni sa më shpejt në krahë bijën tuaj, të jeni pranë gruas e fëmijës, për të ndërtuar një familje të bukur, duke bashkëpunuar, kështu, edhe për ardhmërinë e Italisë”.

Pyetje: - Jam Federiku. Tepër pak flitet për ne, e shpesh me një egërsi të tillë, si të donin të na shkulnin nga radhët e shoqërisë, si të ishim bar i keq. Kjo na bën ta ndjejmë veten diçka më pak se njerëz.

Përgjigje: - Duhet t’i durojmë edhe ata, që flasin egërsisht; ashtu flasin edhe kundër Papës e, megjithatë, ne ecim përpara. Më duket e arsyeshme t’i nxit të gjithë për t’i kuptuar vuajtjet tuaja. Çdo njeri mund të rrëzohet, por Zoti dëshiron që të gjithë të arrijnë tek Ai. E ne duhet të bashkëpunojmë për këtë me frymë të vërtetë vëllazërie. Zoti do t’ju ndihmojë, e ne jemi gjithnjë pranë jush”.

Pyetje: - Shenjtëri, më kanë mësuar se Zoti shikon e lexon brenda nesh. Prej këndej, nuk mund të mos e pyes veten pse zgjidhja e mëkateve u është besuar priftërinjve. Në se unë i lutem Zotit të më falë, i vetëm, në dhomën time, me gjithë zemër, thua nuk do të më falë?

Përgjigje: - Do të thosha dy gjëra. E para: natyrisht, në se ju gjunjëzoheni e, me dashuri të vërtetë për Zotin, i luteni t’ju falë, ai do t’ju falë. Por zgjidhja e meshtarit, zgjidhja sakramentore, është e nevojshme për faljen reale, sepse zgjidhje nga mëkati do të thotë se Zoti më fal, më pranon përsëri në bashkësinë e të tijve.

Pyetje: - Shenjtëri, muajin e kaluar keni qenë për vizitë baritore në Afrikë, në kombin e vogël të Beninit, një nga kombet më të varfra të botës. Ju pyes: ata vdesin nga varfëria e nga dhuna… Thua Zoti dëgjon vetëm zërin e njerëzve të pasur e të pushtetshëm?

Përgjigje: - Kriteret e Zotit janë të ndryshme nga tonat. Zoti u jep edhe këtyre të varfërve gëzimin, ngushëllimin e pranisë së tij, e na bën thirrje të gjithëve të bëjmë ç’është e mundur për të dalë nga errësira e sëmundjes dhe e varfërisë”.

Para se të largohej nga burgu romak Rebibbia, Papa u bëri të gjithëve urimet e tij për Krishtlindje:
Të diel të gëzuar e për shumë vjet Krishtlindjet. Urime, faleminderit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.