2011-12-19 17:18:10

Vaclav Havel, hero i lirisë e një nga etërit e “humanizmit evropian”


Bota është në zi për vdekjen e kreut të “Revolucionit të Kadifenjtë”, që në vitin 1989 solli rënien e regjimit komunist në Çekosllovaki. Vaclav Havel vdiq dje në moshën 75 vjeçare. Dramaturg, aktivist i të drejtave të njeriut, autori i manifestit “Karta 77” u burgos disa herë gjatë regjimit e më vonë, u bë presidenti i parë i Çekosllovakisë pas komunizmit e i Republikës Çeke, pas ndarjes me Sllovakinë. Trupi i tij është vendosur në kishën e Shën Lorencit në Pragë e të mërkurën do të vendoset në Kështjellën e qytetit. Funerali do të kremtohet të premten, më 23 dhjetor. Por cili ka qenë kontributi i tij në luftën kundër komunizmit? Përgjigjet në mikrofonin tonë, profesori i historisë bashkohore në Universitetin Katolik të Milanos, Agostino Gjovanoli:
Kontributi i tij është ai i një njeriu me nivel të lartë kulturor, që pikërisht përmes veprave të veta, ngacmoi ndërgjegjen e bashkëqytetarëve, duke e bërë të marrë nje sens gjithnjë e më kritik, pa përdorur dhunën. Është opozita kundër komunizmit, jo me forcën e armëve, por me inteligjencën, me kulturën dhe me forcën e bindjeve morale. Kjo solli më pas “Revolucionin e famshëm të Kadifenjtë”, i cili u quajt kështu, pikërisht për shkak të mungesës së dhunës. Nga ana tjetër, kjo metodë jo e dhunshme i kushtoi burgosjen e herëpashershme, si edhe largimin nga të gjitha funksionet publike gjatë regjimit komunist.
Sipas tij, cili ishte faji më i madh i komunizmit?
Mungesa e lirisë është difekti themelor i regjimeve komuniste, që ai e denoncoi fuqishëm mëse një herë. Haveli nënshkroi edhe “Kartën 77”. Është një dokument absolutisht vendimtar, sepse në dukje pa forcë, në të vërtetë, destabilizoi jo vetëm gjendjen çekosllovake, por edhe atë të regjimeve të tjera të Evropës Lindore. Tregoi forcën e patundur të ideve dhe të bindjeve morale kundër çdo shtypjeje.
Këto ditë, e kujtojnë shumë politikanë evropianë e botërorë. Sipas jush, cili është mësimi që i lë Vaclav Havel Evropës, në këtë çast të vështirë?
Me jetën dhe veprat e tij tregoi se vlerat morale dhe zgjimi i ndërgjegjeve janë në gjendje ta ndryshojnë botën. Kjo është shumë “evropiane”, nëse mund të shprehemi kështu. Vaclav Havel ka qenë një eksponent i madh i kulturës evropiane, i humanizmit evropian. Madje ka lënë dokumenta – për shembull epistolarin – ku ka gjurmë të qarta të fesë së tij e ku e pranon haptas forcën tërheqëse, që Jezu Krishti ka ushtruar mbi të.







All the contents on this site are copyrighted ©.