2011-12-19 17:31:37

Prekëse, vizita e Benediktit XVI në burgun romak Rebibbia.


“Ku është një i burgosur, aty është edhe Krishti”. Me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI të burgosurve në burgun romak Rebibbia, ku ishte dje për vizitë. Kisha, tha Papa, e njeh misionin e saj profetik për ata, që janë të lënduar nga kriminaliteti, ashtu si njeh edhe nevojën e tyre për pajtim me Zotin, për drejtësi, për paqe. Të burgosurit, shtoi, meritojnë të trajtohen me respekt e dinjitet.

Fjalët e Gjyqit të Mbramë, treguar nga Shën Mateu Ungjilltar: “Isha në burg, e erdhët të më takoni”, shprehin plotësisht kuptimin e vizitës së Papës në burgun romak Rebibbia:
Kudo është një i uritur, një i huaj, një i sëmurë, një i burgosur, aty është vetë Krishti, që pret vizitën tonë, ndihmën tonë. Kjo, arsyeja kryesore, e cila më bën të ndjehem i lumtur, që jam këtu, për t’u lutur, për të dialoguar, për të dëgjuar”.
Duke iu drejtuar të burgosurve, Ati i Shenjtë shtoi se dashuria e Zotit nuk njeh cak as kufi:
Erdha thjesht për t’ju thënë se Zoti ju do me dashuri të pakufishme e se jeni gjithnjë bijtë e Tij. Edhe Biri i vetëm i Hyjit, Zoti Jezus, e provoi ç’do të thotë burg, iu nënshtrua gjykimit para një gjykate dhe pësoi dënimin më mizor, atë me vdekje!”.
Papa kujtoi se është urgjente të rivendoset drejtësia, të riedukohen fajtorët e t’u jepet fund rasteve të gabimeve gjyqësore, si dhe atyre të moszbatimit të ligjit:
“Të burgosurit janë njerëz që, pavarësisht nga krimi i kryer, meritojnë të trajtohen me respekt e me dinjitet”.
Drejtësia njerëzore e ajo hyjnore, tha më pas Papa, janë shumë të ndryshme:
“Sigurisht njerëzit nuk janë në gjendje ta zbatojnë drejtësinë hyjnore, por duhet, së paku, ta kenë parasysh, ta kuptojnë shpirtin e thellë, i cili e frymëzon, që të mund ta ndriçojë, kështu, edhe drejtësinë njerëzore, për të shmangur rrezikun që i burgosuri të bëhet njeri i përjashtuar nga shoqëria, gjë që, për fat të keq, ndodh shpesh”.
Duhet parë gjithnjë, pohoi Ati i Shenjtë, shpirti i vërtetë i ligjit:
Zbatimi më i përsosur i ligjit, është dashuria, shkruan Shën Pali (Rom 13.10). Drejtësia jonë do të jetë shumë më e përkyer, në se frymëzohet nga dashuria për Zotin e për vëllezërit”.
Pasi kujtoi se grumbullimi i madh i njerëzve dhe zvetënimi i tyre mund ta bëjnë edhe më të hidhur heqjen e lirisë, Papa uroi që Krishtlindja, tashmë afër, të rindezë në të gjitha zemrat, shpresë e dashuri:“Foshnja e Betlehemit do të jetë e lumtur kur të gjithë njerëzit të kthehen tek Hyji me zemër të re. T’i lutemi në heshtje e në uratë të na çlirojë të gjithëve nga burgu i mëkatit, nga kryelartësia e mendjemadhësia; secili ka nevojë të dalë nga ky burg shpirtëror, për të qenë vërtet i lirë nga e keqja, nga ankthi, nga vdekja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.