2011-12-19 17:20:16

Në Engjëllin e Tënzot, Papa lutet për Filipinet, dëmtuar nga stuhia tropikale dhe i fton besimtarët të ecin në gjurmët e Zojës së Bekuar.


Pas përfundimit të vizitës në Rebibbia, Papa u kthye në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Kujtoi, posaçërisht, popullsitë e Filipineve, dëmtuar rëndë nga një tifon i fuqishëm.
Gjëja e parë, që të bie në sy në Sheshin e Shën Pjetrit, është bredhi madhështor i Krishtlindjes, tashmë gati për festë, pranë Shpellës së Betlehemit, ende të mbuluar, në pritje të përurimit, Natën e madhe të Festës. Rreth një skene të tillë, stolisur me simbolet e Solemnitetit ishin mbledhur dje mijëra besimtarë në një të diele tipike dimërore, me qiell ngjyrë hiri e erë të akullt. Papa i ftoi ta jetojnë festën me gëzim, duke kujtuar edhe Filipinet, ku tifoni Washi ka shkaktuar mijëra të vdekur:
Dëshiroj t’i siguroj për afërsinë time popujt e jugut të Filipineve, dëmtuar nga një stuhi e tmerrshme tropikale. Lutem për viktimat, shumica fëmijë, për të pastrehët e për të humburit e panumërt”.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua posaçërisht tek liturgjia e së Dielës IV të Kohës së Ardhjes, tek lajmi i madh, që i dha Engjëlli Marisë, duke shpjeguar, në mënyrë të veçantë, rëndësinë e virgjërisë së Zojës së Bekuar. Në sfondin e këtij çasti mahnitës në Nazaret, është profecia e Izaisë: “Ja, Virgjëra do të zërë në kraharor e do të lindë një djalë, që do ta quajë Emanuel”:
“Ky premtim i lashtë u përmbush plotësisht me Mishërimin e Birit të Zotit. Virgjëra jo vetëm që u zu, por u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, domethënë, për hir të vetë Zotit. Qenia njerëzore, që nis të jetojë në kraharorin e saj, merr mish e gjak nga Maria, por ekzistenca e tij, zë fill nga vetë Hyji. Është plotësisht njeri, i bërë prej dheu, për të përdorur simbolin biblik, por i ardhur nga lart, nga Qielli”.
E, për ta njohur Jezusin, vijoi Papa, virgjëria e Marisë është themelore, dëshmon se nisma ishte e Hyjit e sidomos, tregon kush është foshnja e zënë: në këtë kuptim, virgjëria e Marisë dhe natyra hyjnore e Jezusit garantohen reciprokisht. Por Benedikti XVI nënvizoi edhe një aspekt tjetër, thjeshtësinë, e sidomos, urtinë e Virgjërës e cila, ndonëse shumë e turbulluar, dëshiron ta njohë më mirë vullnetin e Hyjit, pa dyshuar kurrë në gjithëpushtetin e Tij:
“Zemra dhe mendja e saj janë krejt të përvuajtura e, pikërisht për shkak të përvuajtërisë së pashoqe, Hyji pret pohimin e kësaj Vashe, atë ‘po’, që përfshin amësinë dhe virgjërinë njëherësh, por edhe dëshirën që gjithçka në të, të shkojë për lumni të Hyjit e që Biri i lindur prej saj të jetë plotësisht dhanti hiri”.
Virgjëri e pashoqe, e papërsëritshme, kjo e Marisë, por me një domethënie, e cila ka të bëjë me gjithë të krishterët: “Kush beson me gjithë shpirt në dashurinë e Zotit, nënvizoi Papa, pranon në zemër Jezusin, jetën e tij hyjnore, për virtyt të Shpirtit Shenjt”.

Pa lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi se të shtunën e kaluar, në Madrid, u shpallën të Lum 22 misionarë Oblatë të Zojës së Papërlyer dhe një laik, mbytur gjatë luftës civile spanjolle, vetëm sepse ishin dëshmitarë të zellshëm të Ungjillit. Prej këndej, urimi që flijimi i tyre të sjellë shumë fryte pendese e pajtimi.
Si në gjuhën angleze, ashtu edhe në atë gjermane e polake, Papa i ftoi besimtarët të ecin në gjurmët e Marisë, duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit.
Së fundi, përshëndeti Bashkësinë romake të lëvizjes ‘Bashkim e Çlirim”, duke e inkurajuar të jetë tharm ungjillor në gjirin e shoqërisë.









All the contents on this site are copyrighted ©.