2011-12-19 14:55:37

Ipeshkvijtë koreanë: Vdekja e Kim-Jong-Il mund të jetë rasti për bashkimin e Koreve


12 ditë zi kombëtare për vdekjen e kreut të Koresë së Veriut, Kom Jong-Il, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 69 vjeçare, për shkak të një infarkti, që e kapi në një nga udhëtimet e shumta me tren, mjeti i tij i transportit. Vendi komunist ndalet deri më 29 dhjetor e një ditë më parë, më 28 dhjetor, do t’i japë lamtumirën e fundit liderit të vet, pa praninë e delegacioneve ndërkombëtare.
Organizimi të kujton jashtëzakonisht ditët, që pasuan vdekjen e Enver Hoxhës në Shqipëri, me dëshpërimin e lotët, që duhej të derdhte se s’bën gjithë kombi. Trupi i Kim Jong-Il është vendosur në pallatin Kumsusan të Piongjangut, kur që prej vitit 1994 pushon trupi i ballsamosur i Kim Il-Sung, Udhëheqësit të Madh, siç quhej ai, që vuri themelet e regjimit më të izoluar të botës. Tani, pushteti i kalon brezit të tretë, djalit të Kim Jong-Il, 27-vjeçarit Kim Jong-Un, i cili paraqitet nga propaganda e partisë si “Pasardhësi i madh”. I edukuar në Zvicër, vetëm një vit më parë, u emërua gjeneral me katër yje, pavarësisht se akoma pa asnjë impenjim publik.
I ati lë pas një vend, të cilin ka kontribuar ta çojë drejt varfërisë së pashembullt, duke bërë shumë pak për krizën e bukës, por duke gjetur gjithnjë fondet për shtimin e arsenalit ushtarak e për vazhdimin e programit bërthamor. Mendohet se në vend ka rezerva plutoniumi për ndërtimin e shtatë-tetë bombave atomike.
Ku do të shkojë Koreja e Veriut, me në krye të birin e “udhëheqësit të dashur”? Kina e Rusia kanë shprehur ngushëllimet, duke theksuar se janë të gatshme për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit. Vendet perëndimore si Britania e Madhe, Franca e Gjermania kanë shpresë në ndryshime brenda regjimit, ndërsa Koreja e Jugut, e frikësuar, i ka vënë strukturat ushtarake në alarm, madje në nivelin më të lartë, duke i bërë thirrje popullit të vet për qetësi, por duke kërkuar ndihmën e aleatit të zakonshëm, SHBA-të.
Flasin edhe ipeshkvijtë. “Vdekja e liderit koreanoverior Kim Jong-Il qoftë fillimi i kthesës për rrugën e ribashkimit të Koreve. Shpresojmë që Zoti t’u japë guxim e t’i shndrisë vëllezërit koreanoveriorë për një politikë të përqendruar mbi dialogun, paqen e pajtimin”: kështu flet kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Koresë së Jugut për agjensinë katolike Fides. Por cili është skenari që mund të hapet? Pyetëm pedagogun e gjuhës koreane në Universitetin Oriental të Napolit, Mauricio Rioto:
Vdekja e Kim Jong-Il hap skenarë më të paparashikueshëm se vdekja e të atit, Kim Il-Sung, në vitin 1994. Atëherë, ekzistonte një pasardhës i njohur, me moshë të pjekur e me përvojë të gjatë politike. Tani, pasardhësi është pak më shumë se çunak e nuk dihet nëse do të jetë i aftë t’i bllokojë aspiratat e mundshme për pushtet të gjeneralëve, që e rrethojnë. E nuk dihet as se çfarë qëndrimi do të mbajë në politikën e jashtme.
Ipeshkvijtë katolikë urojnë që të hidhen hapa të reja përpara drejt bashkimit të dy Koreve. A është i mundur një skenar i tillë, sipas jush?
Duhet të kujtojmë gjithmonë se në thelb, gjendja në gadishull është kështu, pasi dikujt i leverdis. Japonia për shembull, nëse dy Koretë bashkohen, do të kishte pranë një konkurrent tregtar shumë më të fuqishëm, pasi Koreja e Jugut do ta shfrytëzonte pa dyshim krahun e lirë të punës së Koresë së Veriut. I leverdis edhe SHBA-ve, pasi, nëse arrihet paqja, nuk do të ketë asnjë arsye për ta mbajtur kontingjentin prej dhjetra mijëra njerëzish në Korenë e Jugut. E as Kinës nuk i pëlqen bashkimi, pasi në atë rast, nuk do të kishte më ndikimin politik, që ka tani, mbi Korenë e Veriut. Natyrisht, gjëja e parë që të vjen në mend në këtë rast, është bashkimi, por unë jam pesimist e mendoj se do të duhet më tepër kohë.







All the contents on this site are copyrighted ©.