Më 18 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të kohës liturgjike të Ardhjes,
e po më 18 dhjetor bie edhe përkujtimi i festës së shën Malakisë profet e të shën
Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot
i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar
të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit. Mesia,
i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për
ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.
Të
hënën më 19 dhjetor kalendari përkujton Shën Urbanin V papë e Shën Anastasin papë.
Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji,
me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm
të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.
Të martën më 20 dhjetor
kalendari përkujton Shën Liberatin e Shën Filogonin. Liturgjia na kujton se për ta
njohur me të vërtetë Hyjin Atë nuk mjafton të studiosh filozofinë ose teologjinë:
rëndësi ka të kundrosh Foshnjën Hyjnore të lindur nga Virgjëra Nënë.
Të
mërkurën më 21 dhjetor kalendai përkujton Shën Mikenë Profet e të Shën Pjetër
Kanizin, jezuit e doktor i Kishës. Liturgjia na kujton se Maria e Elizabeta janë ikona
e çdo të krishteri, që ndjek Zotin përplot me Shpirtin Shenjt e që prandaj ecën me
gëzim e optimizëm edhe ndër shtigje të thepisura.
Të enjten më 22 dhjetor
përkujtohet Shën Françeska Kabrini, virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës
së Krishtit, që na nxit ta lavdërojmë Hyjin për dhuratën e Krishtit që po vjen e ta
lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, me besimin se mëshira e tij shtrihet
mbi të gjithë ata që i druhen.
Të premten më 23 dhjetor përkujtohet
Shën Gjoni i Ketit, meshtar, që na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart
kokën, shpëtimi ynë është afër!’.
Të shtunën që vjen më 24 dhjetor bie Nata
e Shenjtë e Krishtlindjes. Kalendari kishtar përkujton edhe shën Tarsilën, virgjër
romake e shën Irmën, abatesh. Të dielën e ardhshme më 25 dhjetor Kisha katolike
kremton solemnitetin e Lindjes së Jezu Krishtit. Festa e Krishtlindjes na kujton
edhe njëherë dashurinë e pakufishme të Emanuelit, Zotit me ne. Hyji mishërohet për
shpëtimin tonë njerëzor.