2011-12-16 17:36:15

Papa delegacionit ukrainas, ardhur për dorëzimin e Bredhit të Krishtlindjes: ruajini simbolet e krishterimit.


Benedikti XVI, duke pritur sot paradite delegacionin e Ukrainës, ardhur në Vatikan për të dorëzuar Pemën e Krishtlindjes, që sivjet erdhi nga provinca e Transkarpateve, kujtoi se bredhi është simbol i përshpirtërisë popullore dhe i rrënjëve të krishtera të kulturës së Ukrainës. Bredhi vigan, i stolisur në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit, 30 metra e gjatë, me peshë 5 tonelata. Druri i saj, sipas traditës, do t’u dhurohet shoqatave, që realizojnë punë artistike, për qëllime bamirësie.RealAudioMP3

“Bredhi i Festës dhe Shpella e Betlehemit, janë elemente të atmosferës së Krishtlindjes. I përkasin trashëgimisë kulturore të të gjitha bashkësive tona. Krijojnë klimën e fesë e frymën e dashurisë familjare, nënvizoi Papa. E këtë frymë duhet ta ruajmë edhe në shoqëritë e sotme, në të cilat shpesh duket sikur sundojnë konsumizmi dhe etja për pasuri materiale, larg atyre shpirtërore. Bredhi, posaçërisht, është simbol, që lidhet me vetë jetën:
“Simbol domethënës i Lindjes së Krishtit, sepse me gjethnajën e tij gjithnjë të gjelbër, të kujton jetëgjatësinë, bredhi është edhe shenjë e përshpirtërisë popullore të trojeve tuaja, e rrënjëve të krishtera të kulturës suaj”.
Papa uroi që e gjithë bashkësia e krishterë e Ukrainës, e lidhur ngushtë me rrënjët e veta, të frymëzohet përsëri nga dëshira për ta dëshmuar me gëzim fenë e për të promovuar vlerat e jetës, të solidaritetit e të paqes:
“Urojmë që këto rrënjë ta fuqizojnë gjithnjë më shumë unitetin tuaj kombëtar, duke ju nxitur të gjithëve t’u shërbeni vlerave të vërteta. Vendi juaj, gjatë shekujve, ka qenë udhëkryq kulturash të ndryshme, pikëtakimi ndërmjet pasurive shpirtërore të Lindjes e atyre të Perëndimit. Uroj që duke mbrojtur vlerat e fesë, Ukraina të vijojë t’i përgjigjet thirrjes së vet të posaçme”.
Papa ftoi për ta pritur me fe Krijuesin e gjithësisë që, duke u bërë foshnje, erdhi mes nesh e eci përkrah me ne. U bë i vogël, për të hyrë në zemrën e njeriut e për ta bërë krejt të re, me forcën dhe ëmbëlsinë e dashurisë së tij:Në këtë Kohë të Ardhjes, Kisha na fton të përgatitemi për Lindjen e Shëlbuesit, duke thelluar gatitjen shpirtërore dhe lidhjen me Krishtin. Epoka jonë ka nevojë për të krishterë të shenjtë, entuziastë për fenë e tyre”.Maria, shtoi Ati i Shenjtë, është modeli e prijësja jonë. Ajo na këshillon kundrimin e na porosit: Dëgjo, respekto, ruaj, medito, lutu:
Sa e nevojshme është ta rifitojmë shijen e lutjes! Sa të vëmendshëm duhet të jemi, që të mos na marrë me vete vala e jetës, të mos na pengojë për të hyrë në shpirt e për t’u takuar me misterin mahnitës të Zotit, që banon në zemrën tonë”.
Në përfundim, urimet për Krishtlindje, natyrisht, në gjuhën ukrainase:
Запевняю постійну згадку в молитвах за вас, за ваші родини”…
Ju siguroj se do t’ju kujtoj në lutjen time, ju, familjet tuaja, mbarë Ukrainën e të gjithë ukrainasit, ndërsa ju jap, me gjithë zemër, Bekimin tim Apostolik. Gëzuar Krishtlindjen!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.