2011-12-16 17:54:47

Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes: guxim, të rinj, Kisha ka besim tek ju.


Shikojeni me guxim ardhmërinë, pavarësisht nga vështirësitë: është inkurajimi i Papës, drejtuar të rinjve të mbarë botës, përmes Mesazhit të Ditës së 45-të Botërore të Paqes, botuar sot. Dita kushtuar paqes do të kremtohet, si zakonisht, më 1 janarin e ardhshëm.
Tema e dokumentit, paraqitur sot paradite në Sallën vatikanase të Shtypit, është: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”. Papa ripohon rëndësinë e familjes dhe të edukimit, për sigurimin e paqes së vërtetë. E i porosit të rinjtë të ruhen nga relativizmi, që përbën një kërcënim serioz në përdorimin e lirisë.

Mos kini frikë të impenjoheni për një ardhmëri të ndritur, që u përket të gjithëve! Janë të rinjtë, protagonistët e Mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes. Atyre u drejtohet me fjalë shprese e inkurajimi: “Nuk jeni kurrë vetëm. Kisha ka besim tek ju, ju ndjek e ju jep zemër, duke ju krijuar të gjitha mundësitë për ta takuar Jezu Krishtin”. Papa i njeh mirë shqetësimet e shprehura nga shumë të rinj këto kohët e fundit, ndër zona të ndryshme të botës. Ka rëndësi, shkruan prandaj, që përpjekjet për të mbrojtur idealet e bukura të moshës suaj, të ndiqen me vëmendje nga mbarë shoqëria. Kisha, pohon Papa, i shikon të rinjtë plot shpresë e u jep zemër të kërkojnë të vërtetën e të mbrojnë të mirën e përbashkët. Benedikti XVI i fton të rinjtë e mbarë botës ta shikojnë me më shumë shpresë ardhmërinë dhe u kujton se nuk janë ideologjitë ato, që do ta shpëtojnë botën, por Hyji i gjallë, i cili është dashuri. Mos e humbisni shpresën përballë vështirësive, i nxit të rinjtë Papa, e mos ecni në rrugën e verbër, që shpesh paraqitet si rruga më e lehtë për zgjidhjen e problemeve. Ati i Shenjtë u kërkon të rinjve të jenë shembull e nxitje për të rriturit, me qëndrimin e tyre të drejtë e luftarak kundër padrejtësive e korrupsionit. E i nxit edhe udhëheqësit politikë të jenë modele figurash të pastra të një politike, që vihet me të vërtetë në shërbim të të gjithëve.
Mesazhi prek edhe problemet e krizës së sotme ekonomike, që vijon t’i shtrijë rrënjët në mbarë botën, duke shpjeguar se shkaqet e saj janë, mbi të gjitha, kulturore e antropologjike. Kujton, më pas, se vitin e fundit, njerëzit ndjehen gjithnjë më të zhgënjyer, në të gjitha drejtimet. I fton, prandaj, ta shikojnë më me besim vitin 1912, që po troket tashmë në të gjitha portat.
Familja dhe edukimi janë dy bazat kryesore, nga të cilat duhet të rinisemi, porosit Papa, duke i nxitur prindërit të mos dëshpërohen, pavarësisht nga shqetësimet për të ardhmen, që nuk mungojnë e që, gjithnjë më shpesh, e shpërbëjnë familjen. Benedikti XVI vë theksin edhe mbi kushtet e punës, të cilat shpesh nuk përkojnë fare me nevojat dhe përgjegjësitë familjare. E edhe mbi shqetësimet për të ardhmen e ritmet e ethshme të jetës. Prej këndej, u drejtohet atyre, që përgjigjen për fatet e njerëzimit, duke u kërkuar t’i ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucionet edukative. E shton: nuk duhet të mungojë kurrë ndihma për atësinë e amësinë.
Përsa u përket institucioneve edukative, lexohet në mesazh, duhen krijuar të gjitha mundësitë, që familjet t’i zgjedhin lirisht ato, të cilat janë më të përshtatshme për fëmijët e tyre. E akoma: Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet bashkimi i familjeve të ndara për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike. Së fundi, i bën thirrje botës së mjeteve të komunikimit të japë kontributin e saj edukativ.Mesazhi, pastaj, thekson nevojën e edukimit të breznive të reja me frymën e drejtësisë e të lirisë. Njeriu, shkruan Papa, e ka në zemër etjen e pashuar për amshim, sepse është krijuar në ngjashmëri e sipas shembëlltyrës së vetë Zotit. E vëren, në vijim, se vetëm në lidhje me Zotin njeriu mund ta kuptojë edhe domethënien e lirisë së vet. Ky, saktëson, nuk është detyrim, që lind nga një premtim, e as sundim mbi vullnetin e lirë. Prej këndej, Papa i fton të rinjtë të ruhen nga dashuria e tepruar për vetveten, nga relativizmi i tepruar, që të shtyn të mos pranosh asgjë përfundimtare e ta matësh gjithë botën me kutin e vetvetes e të dëshirave vetjake. Përdorimi i drejtë i lirisë, shton Papa, ka rëndësi të dorës së parë, kur është fjala për mbrojtjen e drejtësisë e të paqes. Edukimi me frymën e drejtësisë është më se i domosdoshëm në një botë, e cila gjithnjë më shumë shikon vetëm dobinë, përfitimin, pasjen, kujton Papa, e thekson se sot disa nga rrymat e kulturës moderne, të mbështetura nga parime ekonomike racionalistike e individualiste e shkëpusin konceptin e drejtësisë, nga rrënjët e tij transhendente. Paqja, shkruan Papa, është fryt i drejtësisë dhe pasojë e dashurisë së krishterë. Është dhuratë e Zotit, por edhe vepër e njeriut, që duhet ta ndërtojë me duart e veta. Për të qenë veprimtarë të vërtetë të paqes, përfundon Mesazhi, duhet t’i edukojmë të rinjtë, e edhe mbarë shoqërinë, me frymën e dhembshurisë, të solidaritetit, të bashkëpunimit, të vëllazërisë, të jemi vigjilentë e aktivë në bashkësi e t’i zgjojmë ndërgjegjet e përgjumura, kur është fjala për çështjet themelore kombëtare e ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.