2011-12-15 11:54:55

Çelësi i fjalëve të Kishës: zjarri i Krishtlindjes


Na ndajnë vetëm 10 ditë nga Krishtlindja, festa e madhe me të cilën krishterimi kremton lindjen e Jezusit, Shëlbuesit të vet. Prandaj, emisionin e sotëm dhe atë të javës së ardhshme, do t’ia kushtojmë pikërisht kësaj feste. Sot, do t’ju flasim për ”zjarrin e Krishtlindjes”, për flakën që ndez në zemra ardhja e Jezu Krishtit në botë.RealAudioMP3

Dymijë vjet më parë, Çezar Augusti ishte perandor i romakëve. Sundonte mbi ”të gjithë tokën”, siç thotë Ungjilli i Natës së Krishtlindjes… Çezar Augusti? A dini gjë për të? Ka vdekur e mbaruar e përvjetori i lindjes së tij nuk është ndonjë festë. Ndërsa për Krishtlindje, çdo vit, bota mbarë ndalet – natyrisht, jo për shkak të Augustit perandor, por sepse lind një fëmijë, që quhet Jezus.
Sot, është e modës të kritikohet festa e Krishtlindjes, e cila është kthyer në një të kremte pagane, festë e konsumizmit të çmendur, ose edhe një festë – kurth për ata që mallëngjehen shpejt, apo për ata që kanë interes t’i shohin luftëtarët e të drejtave ta lënë fushën e betejës e t’i kushtohen zbukurimit të pemëve e hapjes së shisheve me verë. Por nuk është ky qëllimi i emisionit të sotëm. Jo sepse nuk jemi të vetëdijshëm për këto probleme, por sepse parapëlqejmë të flasim për atë zjarr, që e ndez dhe e ngroh zemrën në këtë periudhë.
Ky zjarr është ai hov dashurie, që secili e ndjen në shpirt dhe e shpreh, nganjëherë edhe me vështirësi, duke dhuruar një kukull, një tren lodër, një shall, një kravatë, çokollata…
Ky zjarr është ai hov dashurie, që na nxit të thërrasim për drekën e Krishtlindjes edhe atë kushërirën, së cilës nuk i flasim qëkur, sepse na pati futur në sherr me kushedi se kë fqinjë, që s’ia mbajmë mend as emrin. E do ta ftojmë edhe gjyshin, që për të njëqindtën herë do të na tregojë si i ka kaluar Krishtlindjet gjatë luftës.
Ky zjarr është hovi i dashurisë, që kapërcen edhe muret e burgut, ku në ditën e Krishtlindjes, atmosfera është më pak e zymtë. Ky zjarr i bën të heshtin armët në fushën e betejës.
Për një natë… për një ditë… Nuk është ndonjë gjë e madhe, do të thotë ndokush. Është e vërtetë, por kush është ai fëmijë në botë, në gjendje të zgjojë një hov të tillë dashurie, çdo vit, në këtë periudhë, ashtu si Jezusi Foshnjë?
Ndokush mund të thotë edhe: as që e dinë më se falë Foshnjës Hyjnore mund ta ndjejnë e ta dhurojnë këtë dashuri. Edhe kjo është e vërtetë për ndokënd, por a mos vallë zjarri në oxhak ngroh më pak, nëse nuk njihet dora, që e ka ndezur?
Nga ardhja e Jezu Krishtit është ndezur një zjarr në tokë. Ç’është pra, ky zjarr, prania e mistershme e të cilit në zemrën e botës dëshmohet nga flaka, që përfshin zemrat e të gjithëve për Krishtlindje?
Sidomos në rini, çdo njeri kërkon me ngulm t’i japë një kuptim jetës së vet. Për çfarë duhet jetuar? E shpesh bie rasti të dëshirojë ta shohë Zotin e gjallë, ta njohë e t’i flasë. Por ku mund ta takojë? Më vonë, kushdo lexon Ungjijtë, ose shkon në katekizmin e Kishës Katolike, mëson se fëmija, lindjen e të cilit e festojmë më 25 dhjetor, kur u rrit thoshte: ”Zotin, askush s’e ka parë kurrë!”. Por shtonte edhe: ”Kush më sheh mua, sheh Atin”, e më pas: ”Askush nuk arrin tek Ati, veçse përmes meje”. I riu, që e kërkon Zotin, kupton kështu se Ai mund të takohet vetëm në Jezu Krishtin.
Por vijnë pyetje të tjera si: kush është Zoti? A mos është Burimi, ”Shkaku i parë”, siç thonë filozofët? Pastaj, nga Ungjilli i Shën Gjonit mëson se Zoti ”është dashuri”. Është dashuria vetë. Prandaj, kur erdhi mbi tokë, nuk u duk si ndonjë sundues i gjithpushtetshëm, por zbriti në një grazhd, si një foshnjë e pambrojtur, e solli me vete një pasuri të vetme: pafundësinë e dashurisë së Tij. Është një zbulim i jashtëzakonshëm: ”Zoti është dashuri, është Jezusi, dashuria e mishëruar”. Ai është zjarri i ndezur mbi tokë e ky është kuptimi i festës së Krishtlindjes.
E atëherë, përse pavarësisht se është festë, ndokush tundohet nga trishtimi? A s’është bërë tashmë zakon, që pikërisht për Krishtlindje t’u bëjmë jehonë edhe të gjitha vuajtjeve të botës? Në të vërtetë, harrojmë se sa më shumë të ngrohë zjarri, aq më mizor duket i ftohti. Por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm të ”Çelësit të fjalëve të Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.