2011-12-15 14:39:59

Pas dy ditësh, Papa do të vizitojë burgun romak të Rebibia-s: flet kapelani, don Pier Sandro Spriani.


Të dielën e ardhshme, e katërta e Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI do të shkojë për vizitë baritore në Kompleksin e ri të Burgut Rebibbia, në Romë.
Papa do të takohet me të burgosurit, do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre dhe do të bekojë një fidan, që pastaj do të mbillet, për kujtim të kësaj vizite.
Vlojnë përgatitjet në burg, për pritjen e Papës. E, natyrisht, në krye të punës, është kapelani, don Pier Sandro Spriano, të cilin e ftuam në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sipas meje, e edhe sipas të burgosurve, e të të gjithë punonjësve të burgut, vizita e Papës ka një domethënie jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse mendojmë që të burgosurit janë braktisur fare nga institucionet, mbasi ata na paksan probleme të tjera, shumë më të rëndësishme, nuk paskan burime, e kështu me radhë… ndërsa Kisha, përfaqësuesi më i lartë i së cilës është Papa, vjen mes nesh për të na thënë: “Jemi me ju!”. E kjo është shumë e rëndësishme, sepse një gjest i tillë, mund t’i bindë politikanët të bëjnë ndonjë gjë urgjente për të lehtësuar këtë turmë të pabesueshme, rrasur këtu brenda, gjë që i bie ndesh dinjitetit të të gjithëve. Këtë urojmë ne, pa harruar se është një vizitë, e cila u tregon të gjithëve se Kisha është pranë çdo njeriu që vuan. E, natyrisht, pranë atyre që kanë humbur gjënë më të çmuar: lirinë!

Pyetje: - Si po e përgatisin këtë takim të burgosurit, rojet e personeli tjetër i burgut?
Përgjigje: - Jeta e burgut është e tillë, që të bën të vraposh ditë për ditë në drejtime të ndryshme; kështu, nuk të mbetet shumë kohë për të bërë përgatitje. Por, me këtë rast, kemi mbledhur shumë pyetje të të burgosurve, që pastaj do të seleksionohen për dialogun me Papën. E, duhet theksuar se disa, kanë bërë ca pyetje të ngarkuara me aq përshpirtëri, sa për të çuditur shumë prej atyre, që janë jashtë. As që u ka shkuar mendja, për shembull, të pyesin çfarë ha Papa për ditë! Po s’po e zgjasim më, sepse do t’i dëgjojmë të dielën. Po kujtoj vetëm se kjo është një përgatitje vërtet e fortë. Pastaj, shumë të burgosur po bashkëpunojnë me ne për të lyer muret, për të stolisur burgun me lule, për të krijuar një mjedis dinjitoz, të denjë për vizitën e njeriut, që përfaqëson Jezusin mes nesh. Janë mobilizuar të gjithë, e të gjithë po marrin pjesë në përgatitjen sa më të mirë të kësaj ngarjeje të madhe, të paharrueshme, për ata, që e shikojnë botën të mbyllur pas hekurave të kryqëzuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.