2011-12-15 14:39:15

Papa, ambasadorëve të 11 vendeve: me shumë solidaritet për të përballuar sfidat e kohës sonë e më tepër mbështetje për të rinjtë


Në epokën e globalizimit, është i nveojshëm solidariteti i vërtetë, nëse duam të përballojmë sfidat e mëdha, që kemi përpara. Kjo qe thirrja e Papës, sot paradite, për ambasadorët e Trinidadit e Tobagos, të Guinea Bisaut, Zvicrës, Burundit, Tajlandës, Pakistanit, Mozambikut, Kirgizistanit, Andorrës, Sri Lankës e Burkina Fazos, të cilët paraqitën Letrat Kredenciale në Vatikan, megjithëse nuk qëndrojnë pranë Selisë së Shenjtë, por në një vend tjetër të afërt. Në fjalimin e apasionuar, që u drejtoi, Benedikti XVI u kërkoi qeverive të ndihmojnë brezat e rinj, të cilëve u duhet të përballojnë probleme të rënda si papunësia.RealAudioMP3
Në epokën e globalizimit, theksoi Papa, të gjithë varemi nga njëri-tjetri, por kjo duhet parë si avantazh, jo si kërcënim. Është e nevojshme të punojmë njëri me tjetrin, njëri për tjetrin:
“Ne jemi të gjithë përgjegjës për të gjithë dhe është e rëndësishme të kemi një konceptim pozitiv të solidaritetit. Ai është leva e vërtetë e zhvillimit njerëzor të gjithanshëm, që e mundëson njerëzimin të shkojë përpara drejt rezultateve të reja”.
Papa kërkoi solidaritet ndërmjet brezave, një solidaritet, që duhet t’i gjejë rrënjët e veta në familje, e cila duhet mbrojtur e përkrahur në misionin e saj tepër të rëndësishëm shoqëror:
“Në këtë kuadër, inkurajoj secilin, cilido qoftë niveli i përgjegjësisë, e në veçanti, qeveritarët, të gjejnë mjetet e nevojshme për t’i dhënë rinisë bazat etike themelore, sidomos, ta ndihmojnë në formim e në luftën kundër të këqiave të shoqërisë, si papunësia, droga, kriminaliteti e mungesa e respektit për njeriun”.
Pikërisht, shqetësimi për fatet e brezave të ardhshme, shtoi Papa, na bën të kuptojmë se njerëzimi është një i vetëm, pavarësisht nga shumëllojshmëria e kulturave dhe e feve. Ky pluralizëm, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk e pengon kërkimin e përbashkët të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës:
“E shndritur dhe e mbështetur nga Zbulesa Hyjnore, Kisha i inkurajon njerëzit të besojnë në arsyen, e cila, nëse pastrohet nga feja, është e aftë të kapërcejë të gjitha kushtëzimet e njëanshme, për të njohur ato të mira universale, si paqja dhe harmonia shoqërore e fetare, për të cilat kanë nevojë të gjithë njerëzit”.
Pastaj, Benedikti XVI iu kthye sërish rolit të solidaritetit në kuadrin e ndërgjegjësimit për përgjegjësinë e përbashkët në botë:
“Sfidat e reja, që vendet tuaja përballojnë sot, kërkojnë pa dyshim mobilizimin e inteligjencës dhe të krijimtarisë së njeriut për të luftuar varfërinë e për të përdorur më mirë e me më tepër korrektësi energjitë dhe burimet, që kemi. Si në planin individual, ashtu edhe në planin politik, është e nevojshme të ecet me vendosmëri drejt një impenjimi më konkret për respektimin e Gjithësisë”.
Ati i Shenjtë e përfundoi fjalimin, duke përsëritur nevojën e kontrollit mbi respektimin e promovimin e dinjitetit të njeriut, kundër çdo përpjekje për ta mohuar, ose për ta instrumentalizuar. E feja jep kontributin e saj të çmuar në këtë drejtim, prandaj, Papa u kërkoi ambasadorëve politika kulturore, që favorizojnë afrimin e të gjithëve me pasuritë shpirtërore dhe që e vlerësojnë kërkimin e përmasës shpirtërore nga njeriu.
Në ndryshim nga herët e tjera, u shpjegoi gazetarëve drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ambasadorët nuk mbajtën fjalim para Papës e as Benedikti XVI nuk pati tekst të veçantë për secilin. Tani e tutje, kjo do të jetë mënyra e veprimit në të tilla raste, për arsye thjeshtimi e uniformiteti me sjelljen diplomatike të sotme. Takimi personal me Papën, shpjegoi në fund atë Lombardi, mund të jetë më i gjatë dhe i ndryshëm, në rastin e ambasadorëve me seli pranë Vatikanit, për të cilët, paraqitja e Letrave Kredenciale parashikon edhe një audiencë private e jo kolektive. Ati i Shenjtë ka raste të tjera për t’iu drejtuar kombeve përkatëse, si për festa, ose për rrethana të veçanta.








All the contents on this site are copyrighted ©.