2011-12-15 17:38:53

Mesazh për Krishtlindje nga Këshilli Papnor për baritorinë e Emigrantëve drejtuar detarëve


“Në ditën e Krishtlindjes jemi të thirrur të reflektojmë për misterin e Mishërimit të Fjalës së amshuar të Zotit, siç lexohet në kapitullin e parë të Ungjillit të shën Gjonit: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte në Hyjin, e Fjala ishte Hyj… E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e saj, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm, plot hir e të vërtetë”. Kështu shkruhet në mesazhin e Krishtlindjes së kryetarit të Këshillit Papnor për baritorinë e Emigrantëve, imzot Antonio Maria Veliò, drejtuar detarëve. “Misteri i Mishërimit – thuhet në tekst – mbart, para së gjithash, mesazhin e Dashurisë universale, që duhet ta ndajmë me të tjerët në botën e detit, gjithnjë e më ndërkombëtare, multikulturore e multifetare”. “Ky mister – nënvizon imzot Veliò – është kremtimi i Emanuelit, i Zotit-me-ne, që na fton të jemi dëshmitarë të Jezusit në botën gjithnjë e më të shumëllojshme të detit për t’u bërë veprimtarë të ungjillëzimit të ri. Përveç kësaj, Krishtlindja shpall se Fjala e Zotit është mishëruar në realitetin tonë njerëzor, të përçarë e aspak të përsosur, për ta çuar drejt përsosjes. Me forcën që vjen nga Zoti ynë Jezu Krisht, i cili ecën së bashku me të gjithë ne – kujton kryetari i Këshillit Papnor – të impenjohemi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet, që duhet të përballoni çdo ditë, ndër të cilat, shfrytëzimi dhe abuzimi në punë, braktisja në portet e huaja, ndarja nga familja dhe rreziku i piraterisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.