2011-12-15 18:02:22

CERN: jemi pranë zbulimit të “bozonit të Higsit”


Natyra është mrekulli e Zotit, që njeriu është përpjekur ta njohë në jetë të jetëve. Dalëngadalë, ai zbulon një kënd më shumë, shtyhet një metër më tej, thellohet në risi, të pamenduara më parë. Por Hyji i Gjithpushtetshëm e ka vendosur që në fillim farën e zbulimeve të ardhshme, në mendjen e krijesës së vet. Kjo është arsyeja, që shkencëtarët teorikë janë gjithnjë një hap përpara në krahasim me praktikën. Gjithsesi, vjen dita kur edhe teoritë vërtetohen nga praktika. Dita e djeshme qe njëra prej tyre. Në laboratorin CERN të Gjenevës, nën udhëheqjen e dy fizikanëve italianë, është kryer një eksperiment i dyfishtë, gjatë të cilit është gjetur gjurma e “bozonit të Higsit”, grimcës elementare, që sipas teorisë së Higsit, duhet të jetë e pranishme në bërthamat e atomeve të të gjitha elementeve të natyrës. Cilat janë pasojat e kësaj pune shkencore? Të dëgjojmë atë Gabriele Xhontin, astronom i “Observatorit të Vatikanit”:RealAudioMP3
Në teorinë e grimcave elementare kemi një model, që quhet “Standart” dhe përshkruan të gjitha bashkëveprimet e njohura në natyrë. Në të realizohet unifikimi i fushës elektromagnetike me atë të forcave të dobta bërthamore. Ky model është parashikuar prej kohësh teorikisht, por grimcat e këtij bashkëveprimi elektro të dobët u zbuluan vetëm në vitin 1984 nga fizikani italian Karlo Rubia, në Cern. Masa e tyre jepet nga bozoni i Higsit. Grimcat, të cilave ky bozon u jep masën pra, u zbuluan, por nuk është zbuluar akoma vetë “bozoni i Higsit”, prandaj eksperimentet në Cern vazhduan.
Cilat janë perspektivat, pas ditës së djeshme? Ndryshon fizika?
Jo, kjo është puna. Thjesht konfirmohet edhe një herë modeli elektro i dobët. Nuk ka akoma asnjë sinjal se do të kemi fizikë të re.
Gazetat kanë tituj mjaft bombastikë, si: “u gjet gjurma e grimës së Zotit”. Tepër…
Po. Një nga arsyet për të cilat quhet “grimca e Zotit” është sepse nuk mund të gjendej: kanë kaluar vjet që nga 1984-a e deri më sot. Shumë studentë i kanë bërë tezat e diplomës në Cern, duke dashur të arrijnë tek kjo grimcë, por nuk e kanë gjetur. Prandaj, modelet teorike që kemi, nuk janë verifikuar akoma e nuk e marr vesh pse thonë se “shkenca arrika të kuptojë gjithçka”, kur nuk jemi të sigurtë as për vërtetësinë e modeleve teorike…







All the contents on this site are copyrighted ©.