2011-12-14 18:31:50

Papa në audiencën e përgjithshme: në lutje, më shumë sesa dhuratat, të lypim fytyrën e Atij, që dhuron.


Nuk e lusim Zotin për të na e plotësuar menjëherë kërkesën tonë, por për të fituar miqësinë e tij, sepse “Dhuruesi ka shumë më tepër vlerë, sesa dhurata”. Këtë mësim u propozoi sot Benedikti XVI shtegtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Ati i Shenjtë foli për lutjen e Jezu Krishtit dhe për shërimin e të sëmurëve në korp e në shpirt, veprimtari me të cilën ndeshemi vazhdimisht në faqet e Ungjijve. Në përfundim, Papa falënderoi, ndërmjet tjerëve, financuesit dhe realizuesit e restaurimit të skulpturës së famshme “Ringjallja”, që sundon mbi Sallën e Palit VI në Vatikan, prej më se 30 vjetësh.RealAudioMP3

Një shurdhmemec, që turma e shpërfill, e një mik i dashur, që sapo ka dhënë shpirt. Dy situata, të cilat nuk do të kishin asgjë të përbashkët, në se nuk do të lidheshin me Jezusin e nuk do t’i krijonin mundësitë për ta shprehur publikisht mënyrën krejtësisht të veçantë, sa njerëzore, aq edhe hyjnore, me të cilën i drejtohet Atit në lutje. E kjo, theksoi Papa, duhet të jetë edhe mënyra e lutjes së çdo të krishteri. Shërimi i shurdhmemecit, rrëfyer në Ungjillin e Shën Markut, është një shembull i gjallë, që flet vetë. Jezusi e ndan të gjymtuarin veçmas, ia prek veshët e shurdhër e gojën e mbyllur për fjalën njerëzore, i drejton sytë kah qielli, psherëtin e shqipton në aramajke fjalën: “Effatha!”, që do të thotë “Hapu!”. E hapen veshët e zgjidhet gjuha e i gjymti nisë të dëgjojë e të flasë rrjedhshëm:
“I gjithë rrëfimi tregon se është mëshira njerëzore ndaj të sëmurit ajo, që e shtyn Jezusin të lutet. E, në lutjen e tij, shikojmë edhe një herë se ka lidhje të pashoqe me Atin, se është Biri i Tij i vetëm. Në forcën shëruese të Krishtit, që larton sytë kah qielli, vërejmë se lutja zë një vend tepër të rëndësishëm. Forca, që shëroi shurdhmemecin, është natyrisht, pasojë e mëshirës që pati Zoti për të, por duket qartë edhe se vjen nga lutja e Birit, drejtuar Atit".
Episodi i dytë, paraqitur nga Papa, është ai i ringjalljes së Lazrit, shembulli më i famshëm, që flet për natyrën njerëzore, e njëkohësisht, hyjnore të Krishtit, i cili nuk mund t’i mbajë lotët, kur merr vesh se ka humbur një mik aq të dashur. Qan, pra, siç do të bënte çdo njeri. Por dhimbja e thellë nuk e bën të harrojë për asnjë çast lidhjen e tij të pazgjidhshme me Atin, shpjegoi Benedikti XVI, e as misionin, që i është besuar. Atëherë i drejton Atit një lutje të fuqishme, të dyfishtë: i lutet ta kthejë në jetë Lazrin, që sëmundja dhe vdekja e tij të bëhen shkas për t’u shfaqur me gjithë shkëlqimin e vet, lumnia e Hyjit:
Secili nga ne duhet të kuptojë se kur e lusim Zotin për të na plotësuar një dëshirë, nuk duhet të presim plotësimin e menjëhershëm të saj por t’ia besojmë gjithë vetveten vullnetit të Atit, duke i shikuar të gjitha ngjarjet në perspektivën e lumnisë së Tij, të planit të tij e të dashurisë, që shpesh është misterioze për sytë tanë”.
E ky është thelbi i lutjes, që Benedikti XVI ua shpjegoi të pranishmëve në audiencë, duke cituar edhe fjalët e Katekizmit të Kishës Katolike: “Para se të marrë dhuratën, Jezusi bëhet një me atë, që dhuron e që, në dhuratat e veta, dhuron vetveten”:
“Kjo më duket tepër e rëndësishme: para se të na jepet dhurata, duhet të bëhemi një, me atë që dhuron; dhuruesi është më i çmuar se dhurata. Edhe për ne, prandaj, pavarësisht nga ajo, që na dhuron Zoti, kur i lutemi, dhurata më e madhe që mund të na japë, është miqësia e tij, prania e tij, dashuria e tij. Ai është thesari, që duhet ta kërkojmë e ta ruajmë fort e përgjithmonë”.
Me lutjen e tij, përsëriti Papa, Jezusi na merr përdore e na çon te Zoti, duke na e mbushur shpirtin me besim të plotë në vullnetin e tij. Na tregon se Zoti ngjall shpresat e shuara e kthen për së mbari edhe situata, në dukje të pëmbysura. Lutja jonë, tha në përfundim Papa….
… hap portën që çon kah Zoti, i cili na mëson të dalim vazhdimisht nga vetvetja, për t’u bërë të afërm me të tjerët, posaçërisht kur kalojnë orë të vështira e kanë nevojë që dikush t’u çojë ngushëllim, shpresë, dritë”.
Në çastin e përshëndetjeve përfundimtare, Papa kujtoi posaçërisht bashkësinë e ‘Legjionarëve të Krishtit’ si dhe përfaqësuesit e Shoqatës ‘Regnum Christi’, të dyja palët në Romë, për shugurimin e 50 meshtarëve të rinj. Zoti, u tha atyre Papa, ju ndihmoftë ta vini në jetë me gëzim misionin tuaj në shërbim të Ungjillit.
Më pas, falënderoi të gjithë ata, që financuan dhe realizuan restaurimin e skulpturës së njohur me emrin “Ringjallja” e cila, që prej 34 vjetësh, tërheq menjëherë vëmendjen e të gjithë vizitorëve të Sallës së Palit VI. Qe Papa Montini ai, që ftoi skulptorin Pericle Fazzini për ta realizuar këtë kryevepër të skulpturës moderne:
“Pas një periudhe punimesh të kujdesshme, sot kemi gëzimin ta admirojmë në të gjithë shkëlqimin fillestar, këtë vepër arti e feje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.