2011-12-14 18:38:53

Papa do të kryesojë lutjen mbrëmësore me universitarët e Romës


Nesër, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI do të takojë bashkësinë universitare të Romës për lutjet mbrëmësore. Ky kremtim tradicional, sivjet ka si temë: “Fytyrën tënde kërkoj o Hyj. Çështja e Zotit sot”. Priten rreth 10 mijë studentë, që do të festojnë edhe 20-vjetorin e themelimit të Zyrës dioqezane për baritorinë universitare, sipas dëshirës së të Lumit Gjon Pali II, në vitin 1991.
Përveç të rinjve, Papën do ta presë kardinali-vikar i Romës, Agostino Valini e do ta përshëndesin rektori i Universitetit “LUISS” dhe një studente e mjekësisë nga Universiteti “La Sapienza”. Në lutje do të marrin pjesë edhe ministra italianë, së bashku me rektorët, autoritetet akademike të universiteteve romake dhe drejtuesit e qendrave kërkimore-shkencore. Kremtimi do të shoqërohet nga Kori ndëruniversitar, nga orkestra e Konservatorit të Shën Çeçilies dhe nga koret e kapelanive. Në bazilikë do të jenë të pranishëm edhe 150 të rinj universitarë, që përgatiten për Sakramentin e Krezmimit.
Nga Spanja, do të mbërrijë në Romë ikona e Zojës – “Sedes Sapientaie”, e cila ndodhet në Madrid, që nga Dita Botërore e Rinisë. Në fund të lutjes mbrëmësore, delegacioni universitar spanjoll do t’ia dorëzojë ikonën delegacionit të universitetit “La Sapienza”. Me këtë akt, fillon shtegtimi i saj në kapelanitë universitare të kryeqytetit italian, që do të përfundojë me Simpoziumin ndërkombëtar të pedagogëve të universitetit, në program në Romë, nga 21 deri më 23 qershor 2012.







All the contents on this site are copyrighted ©.