2011-12-13 16:45:41

P. Pjeter Meshkalla S.J: Kanga e Isaisë.


Isaia profetë, shumë shekuj para Krishtit, shkruen me pamje profetike mbi ardhjen, jetën, veprat, mrekullitë, mësimet, vuejtjet e vdekjen e Krishtit. Në këtë vjershë flitet vetem për pritjen me padurim të ardhjes së Shpëtimtarit (Mesisë, Krishtit) e për të mirat, që do të bijë me vete, simbas Librit të Isaisë.
Rorate Coéli desúper,
Et nubes plúant justum.
( Is. 45)

Rigoni, o qiellë nga siper, e retë
të qesin si shi të Drejtin.
Të hapet toka e të mugullojë
Shpetimtarin.

Zgjou, zgjou, o fisi i Jakobit,
harpen tande ban sot qe të tingellojë;
ngrehnju të gjitha, o ju bija të Sionit,
kanga juej deri në qiell le të ushtojë!

Nga një Virgjin e trollit të Davidit
Një Fëmi do t’u lindka në këtë dhe,
emni i tij: “Engjull këshilli e misteri,”
emni i tij: “Perendia me ne !”.

I perfoluni, i pritun nder shekuj
qe, po vjen, si ma i miri nder bij,
ka mbi supat fuqinë e sundimin,
drejtësia edhe paqja i kanë prij.

Rrufe s’ka, s’asht i rrebtë si duhia
por a’i kandshem si vesa në agime,
urdhni i tij: Sillni shpatat në parmenda,
ktheni shtizat per kosa, në punime!

Nen gjurmë të tij burojnë ujnat në shkretina,
me freski, me lulëzim shperthen jeta,
Ky asht Bariu, kullotë delet në bar të njomë,
t’ vogel Kingjin e mba nder duar të veta.

Nga njaj Fëmi pa ka dritën i verbti,
ndigjon shurdhi, po flitka memeci,
si kaprolli sakati vrapueka,
që der’dje me terfurka veç eci!

Mali i Shenjtë, permbi malet ma të naltat
Ngrehu sot ! qe, vegoi drita jote,
vegoi rrezja mbi bijt e premtimit:
eni të ecim në këtë dritë gazmendplote!

Ti Lajmëtar, që bje “lajmin e mirë”
lësho, pa frikë, me fuqi zanin tand,
thuej: “Nji Bir shpëtimtar na qe falun,”
- dhe jehona të marrë dhenë anëkand!

Popujt mbarë vrapojnë e thërrasin:
të vemi “Malit të Shenjtë së bashku përpjetë,
të ecim, të ecim në shkelqimin prarues
Lajmi i mirë ne sot na dha fletë !”.

Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,
qe, po çfaqet e Zotit Lavdia !
Rruga e tij asht mëshira e sherimi,
Ligji i ri: Vllazërimi e dashnia.

P. Pjeter Meshkalla S.J - Shkodër, ( 1923), 1982.








All the contents on this site are copyrighted ©.