2011-12-13 17:01:45

Nën shenjën e Marisë, Shpella e Betlehemit, që do të zbukurojë sivjet Sheshin e Shën Pjetrit.


Është një Shpellë Betlehemi krejt mariane, ajo që do të zbukurojë Sheshin e Shën Pjetrit për Festat e mëdha të dimrit, të cilat shënojë kalimin në vitin e ri 2012. Sipas traditës, Shpella, e cila tani është e rrethuar me ‘mure’ prej pëlhure, do të zbulohet Natën e Festës. “Shpella e Madhe”, do të përurohet nga ipeshkvi Gjuzepe Bertelo, drejtor i Governatoratit të Qytet Shtetit të Vatikanit, i cili mendon çdo vit për realizimin e projektit.
Është e 30-ta herë, që shikojmë një Shpellë Betlehemi, çdo vit të ndryshme. E realizuar për herë të parë më 1982, sipas dëshirës së të Lumit Vojtila, Shpella e sivjetme e Betlehemit paraqet një mjedis karakteristik për viset historike, ku lindi Krishti. Na e tregon këtë, një nga realizueset e saj, arkitektja Barbara Belano, e zyrës së Projekteve pranë Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Governatoratit të Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ky projekt nis në fund të shtatorit. Ne, duke rilexuar me vëmendje Ungjillin, japim një ide dhe kërkojmë, pastaj, ta riprodhojmë në formë boceti. E këtë zakonisht e bën arkitekti Fakini, zëvendës-drejtor e kryetar i Zyrës së Studimeve e Projekteve. Zakonisht kërkojmë një skenë kushtuar një personazhi ose një teme, që e kemi më për zemër.

Pyetje: - Sivjet projekti i kushtohet Marisë e na çon simbolikisht në Tokën Shenjte…

Përgjigje: - Është e vërtetë. Sivjet ia kushtuam Zojës së Bekuar, edhe sepse ishte viti i Lumnimit të Gjon Palit II i cili, siç e dimë të gjithë, kishte devocion tejet të madh për Nënën e Krishtit. Prej këndej, zgjodhëm skena, që të kujtojnë menjëherë episode të Ungjillit, në të cilat Maria është protagoniste.

Pyetje: - Nga vijnë shtatoret këtë vit?

Përgjigje: - Janë të gjitha tonat: nëntë prej tyre, janë shtatoret e lashta, realizuar me brumë letre, që vijnë në Sheshin e Shën Pjetrit nga Shpella e Betlehemit e Kishës romake Shën Andrea della Valle. Vepër e Shën Vinçenc Palotit, u krijuan në vitin 1842. Shtatoret, me vlerë të madhe, janë realizuar me një material shumë delikat e, për t’i ruajtur, duhen mbrojtur nga moti i keq, sepse lagështira mund t’i dëmtojë rëndë. Sivjet, përveç tyre, do të vendosim edhe disa engjëj, dhuruar kohë më parë nga Meksika, që tashmë janë bërë të shtëpisë në Shpellën tonë të Betlehemit.

Pyetje: - Pra mund të flasim për një projekt të madh, që nis tre muaj (aq sa duhet për të ndërtuar një shtëpi të vërtetë) para se të trokasë mesnata e 24 dhjetorit e mbarë bota të mund të arrijë drejtpërdrejt ose simbolikisht pranë Krishtit Fëmijë, që pret vizita në Shpellën e vendosur në zemër të krishterimit?

Përgjigje: - Më 24 dhjetor zbulohet e gjithë skena qëndrore, e është një çast vërtet i bukur, sepse tashmë është bërë traditë të shoqërohet me koret e fëmijëve, që këndojnë këngë të Krishtilindjes, të cilat atë mesnatë tingëllojnë në shtigjet e mbarë botës. Pastaj edhe ne, që e kemi ndërtuar Shpellën, prekemi shumë. I ngarkuar me emocione çasti kur na zbulohet në të gjithë bukurinë e saj para syve, që e kanë soditur pas perdes. Ju siguroj se vit për vit për ne është pamje e re dhe vërtet e bukur.








All the contents on this site are copyrighted ©.