2011-12-13 16:45:25

Meksika e Kuba, në festë për lajmin e vizitës së Papës.


Ipeshkvijtë dhe besimtarët në Kubë e në Meksikë e kremtuan lajmin zyrtar të vizitës së Benediktit XVI, i cili dje, gjatë Meshës, kremtuar me rastin e festës së Zojës së Guadalupes dhe të 200-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Amerikës Latine, njoftoi zyrtarisht se do të shkojë në të dy vendet latinoamericane, para Pashkëve 2012.
“E presim Atin e Shenjtë, që do të vijë si shtegtar i dashurisë së krishterë, me shumë gëzim, shpresë e devocion” - shkruajnë prelatët e Konferencës ipeshkvnore katolike të Kubës (Cocc) në një notë, nënshkruar nga zëdhënësi, imzot Hosé Feliks Pérez - 14 vjet pas vizitës së Gjon Palit II në ishull. Papa, shtohet në notë, njoftoi se dëshiron të vijë në vendin tonë, për të kremtuar së bashku me kubanët Vitin jubilar marian, me rastin e 400-vjetorit të gjetjes së ikonës së Zojës së Dashurisë së krishterë, pajtore e Ishullit, që pikërisht në këtë periudhë po shtegton, gjithashtu, kryq e tërthor vendit.
Njëkohësisht, 6 milionë meksikanë, që shtegtuan në Shenjtëroren e Zojës së Guadalupes, në ditën kushtuar Pajtores së tyre kombëtare, shpërthyen në një britmë të fuqishme gëzimi, kur u dha lajmi zyrtar për vizitën papnore. Ishte një nga brohoritë më të fuqishme, që është dëgjuar ndonjëherë në këto vise, për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të shtegtarëve.
Në viset, ku jeton 46% e katolikëve të Planetit, Benedikti XVI ka shkelur më 2007, me rastin e Konferencës V të Episkopatit Latinoamerikan e Karaibik (Celam) të Aparesidës, kremtuar në Brazil.









All the contents on this site are copyrighted ©.