2011-12-13 16:42:39

Ipeshkvijtë e Zelandës në vizitë ‘ad Limina’. Intervistë e kryeipeshkvit të Uelingtonit, imzot Xhon Dejv


Nisi, këto ditë, vizita ‘ad Limina’, e ipeshkvijve të Zelandës së Re, vend i Oqeanisë, me 4,4 milionë banorë, 15% e të cilëve, katolikë. Dje Papa priti grupin e parë të prelatëve neozelandezë, kryesuar nga kryeipeshkvi i Uelingtonit, imzot Xhon Atçerli Dejv, kryetar i episkopatit të Zelandës së Re. Pikërisht imzot Dejv, në mikrofonin tonë, flet për sfidat e Kishës, që kryeson:RealAudioMP3

Përgjigje: - Our main challanges, I suppose ...
Përsa u përket sfidave kryesore, besoj se më e rëndësishmja është ajo e pranisë në një shoqëri përherë e më të shekullarizuar. Na përshkruajnë gjithnjë më shpesh si një nga vendet më të shekullarizuara, e ky është problem, që përpiqemi ta zgjidhim me një prani sa më të thellë në gjirin e shoqërisë. Kemi, për shembull, një qendër kombëtare të bioetikës, të impenjuar me çështjet e ndryshme morale. Pastaj, kohët e fundit, krijuam një institut kombëtar të formimit, për të koordinuar personelin tonë pedagogjik, por edhe për të krijuar kushte që zëri Kishës të dëgjohet, kur diskutohet për probleme të mprehta morale e politike e, dhe për të qenë të pranishëm në selitë, ku merren vendime. E pastaj, jemi para sfidës së strehimit dhe të intregrimit të emigrantëve në famullitë tona, përmes inkulturimit. Këto, thënë me dy fjalë, janë sfidat e Kishës sonë”.

Pyetje: - Një nga temat e Sinodit të Ipeshkvijve për Oqeaninë, mbajtur më 1998-të, ishte pikërisht inkulturimi. Ka përparime në këtë fushë?

Përgjigje: - "I think we've made some good progress ... Mendoj se nuk ka munguar përparimi. Kemi pasur vazhdimisht dialog me maorët, popuj vendas të Zelandës së Re; misionarët e parë erdhën këtu pikërisht për t’iu kushtuar banorëve vendas. Një pjesë e Mesharit është përkthyer edhe në gjuhën maore, gjë që ne, ipeshkvijtë e vendit, e kemi dëshiruar shumë, sepse e shikonim si shenjë të rëndësishme të Kishës sonë ‘dy–kulturore”. Për ne ka rëndësi inkulturimi në liturgji, por edhe në teologji e në përshpirtëri. Maorët kanë një pasuri të madhe vlerash, si respektimi i dinjitetit dhe i bindjeve të njeriut, që ne po përpiqemi ta bëjmë pasuri të mbarë shoqërisë. Aspekti tjetër i inkulturimit, është integrimi i pakicave të tjera etnike, që kanë arritur pak kohë më parë mes nesh. Po përpiqemi të vlerësojmë trashëgiminë kulturore e fetare, që sjellin nga viset tyre, për të pasuruar me të famullitë tona, dioqezet, bashkësinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.