2011-12-12 18:33:52

Mesha e Benediktit XVI për Amerikën Latine, në përkujtimin liturgjik të Zojës së Guadalupes: Papa do të shkojë në Meksikë e në Kubë para Pashkëve.


Sot Kisha përkujtoi Zojën e Guadalupes, Pajtore e Amerikës. Në përkim me këtë festë, sot pasdite, duke nisur nga ora 17.30, Benedikti XVI kryesoi kremtimin solemn në bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e dyqindvjetorit të pavarësisë së Vendeve latino-amerikane dhe karaibike, ku jetojnë gjysma e katolikëve të botës.
Gjatë Meshës, Papa dha zyrtarisht njoftimin për shtegtimin e tij në Kubë e në Meksikë, vitin e ardhshëm:RealAudioMP3
“Kam ndjet të bëj, para Pashkëve, një shtegtim apostolik në Meksikë e në Kubë, për të shpallur fjalën e Krishtit e për të fuqizuar bindjen se kjo është koha e përshtatshme për të ugjillëzuar me fenë e pastër, me shpresën e gjallë, me dashurinë e flaktë”.
Dy shekuj pas pavarësisë, një pjesë e mirë e vendeve latino-amerikane ndodhen përballë sfidave të shumta, që i shqetësojnë seriozisht Kishat lokale si dhe Selinë Apostolike.

Këtë kujtoi edhe Ati i Shenjtë në homelinë e Meshës, gjatë së cilës komentoi Leximet liturgjike në gjuhët kryesore të Amerikës Latine, lidhur ngushtë me aktualitetin e Kontinentit. Në gjuhën portugeze, komentoi Magnificat; në atë spanjolle, Leximin e parë, duke vënë në qendër të vëmendjes, figurën e Krishtit, që është bashkëmoshatar me çdo njeri, si dhe të Nënës së Tij, Marisë, Virgjërës zeshkane të Tepejakut, Zojës së Gadalupes, Nënës e Yllit të Ungjillëzimit të Amerikës:
“Ajo, me thjeshtësinë e zemrës së saj amëtare, vijon të na tregojë të vetmen dritë e të vetmen të Vërtetë: Birin e saj, Jezu Krishtin, i cili është përgjigjja përfundimtare, që i jepet pyetjes për kuptimin e jetës e edhe shumë pyetjeve themelore të burrave e grave të sotme të Kontinentit amerikan”(Nxitja Apostolike Pas-Sinodale Ecclesia in America)”.
Pas komentit të leximeve, Papa u ndal tek aktualiteti i Amerikës Latine, ku Dyqindvjetori i pavarësisë kremtohet në atmosferën e thellimit të integrimit e të protagonizmit gjithnjë më të dukshëm të Kontinentit në bashkësinë botërore:
Në këto rrethana - porositi Papa - ka rëndësi që popujt e tij të ndryshëm, të ruajnë thesarin e tyre të fesë dhe gjallërinë historiko-kulturore, duke qenë gjithnjë mbrojtës të jetës njerëzore, nga zënia në perëndimin e natyrshëm e pararendës të paqes”.
Papa kujtoi edhe mbrojtjen e familjes, me natyrën e misionin e saj të vërtetë, si dhe edukimin e popujve për të përballuar denjësisht fatin e tyre. Benedikti XVI bëri thirrje për nisma të shumta e programe të përshtatshme, që krijojnë kushtet për pajtimin e vëllazërimin, solidaritetin e kujdesin për ambientin, kapërcimin e mjerimit e zhdukjen e analfabetizmit, çrrënjosjen e korrupsionit e luftën kundër padrejtësisë, dhunës, kriminalitetit, pasigurisë, trafikut të drogës dhe përvetësimit të pasurisë së përbashkët.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi se kur Kisha përgatitej të kremtonte 500-vjetorin e mbjelljes së Kryqit të Krishtit në tokën e mirë të Kontinentit Amerikan, i Lumi Gjon Pali II formuloi, mbi trojet latinomarikane, për herë të parë, programin e ungjillëzimit të ri:
“Nëpërmjet përgjëgjësisë sime për të përforcuar në fe, dëshiroj edhe unë të ikurajoj zellin apostolik, që e nxit dhe frymëzon aktualisht ‘misionin kontinental’ promovuar në Aparesidë, që feja e krishterë t’i shtrijë gjithnjë më thellë rrënjët në zemër të njerëzve e të popujve latino-amerikanë, si takim jetëdhënës me Krishtin”.
Kështu do të shumëfishohen dishepujt e vërtetë e misionarët e Zotit e do të përtërihen shpresat e Amerikës Latine e të Karaibeve.
Në përfundim Papa uroi që drita e Krishtit të ndriçojë fytyrat e të gjithë bijve të këtyre trojeve të dashura e hiri i Tij shëlbues t’i orientojë vendet e tyre, që të ecin pa u lëkundur përpara në ndërtimin e qytetërimit të së mirës, në ngadhënjimin e dashurisë e në rrugën e drejtësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.