2011-12-12 17:38:15

12 dhjetor: Kisha kremtoi Zojën e Guadalupes.


Emocion të thellë e gëzim të madh ngjalli edhe sot kremtimi i liturgjisë së Fjalës së Zotit në shenjtëroren më të madhe mariane të botës, që lartohet mbi kodrën e Tepeyakut, mes malesh e vullkanesh, me lartësi që i kalojnë të pesëmijë metrat. Kremtimi u shoqërua me këngë lirike spanjolle, me valle të lashta indiane, me tingujt natyrorë të guaskave karaibike e të daulleve festive.
Kështu indianët u bënë protagonistë. Kisha radhitet me vendosmëri përkrah tyre, duke ua njohur dinjitetin në formën që për të është më e larta: atë të shenjtërisë.

Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë pikë e sigurtë referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tonë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.
Prandaj mijëra njerëz vijojnë të gjunjëzohen para figures së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrat e tyre, jetën e tyre. Duke kujtuar edhe Juan Diegon, shenjtin e parë indian i Amerikës. E kjo, sepse në vitin e largët 1531 Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas pikërisht atij, fshtarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte, për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Juan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.
Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, tingëllon si mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin. Ndonëse Meksika është ende një vend i plagosur nga pabarazitë shoqërore, një vend ku ndërmjet të pasurve e të varfërve, që shpesh jetojnë pranë e pranë, thellohet gjithnjë gremina, e cila ndan jetën përrallore, nga mjerimi më i thellë. Por nuk duhet të harrojmë se historia është ndryshe nga ajo që duket e se pikërisht të fundmëve e të vegjëlve iu zbulua Ungjilli! Ashtu si Zoja iu duk indianit të varfër Juan Diego.
Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhejtorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Juan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në kristianizëm. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujtë e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herë pas hershme, Konferenca ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhërit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.