E diel më 11 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 3-të kohës së Ardhjes, kohë
liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po
sot më 11 dhjetor bie edhe përkujtimi i shën Damazit I, papë. Liturgjia na kujton
se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh.
Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën
e tij.
Të hënën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton edhe festën
të Lumes Mari Virgjër të Guadalupes e shën Gjovanën de Shantal. Liturgjia e ditës
na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim.
E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na
jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive. Të martën
më 13 dhjetor, bie festa e Shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqipëruar
Drita) dhe e Shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia në përkujtim të Shën Luçisë
na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet
ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë
se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e tij. Liturgjia e së kremtes
na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta
kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet
kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu
i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet. Të mërkurën
më 14 dhjetor, bie festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan
i zbathur. Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë
mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte,
sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë. Të enjten më 15 dhjetor
kalendari përkujton Shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili na nxit të
meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të Shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti
me Elinë. E kjo, sepse Shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në
rrugën e Zotit. Të premten më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit
mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë
kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti Të shtunën më 17 dhjetor,
kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën
Gjonin eMatës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin Kormié, meshtar
dominikan. Danieli me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht
të ndryshme nga të tjerat, foli për atë mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit. Të
dielën e ardhshme më 18 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 4-të të kohës
liturgjike të Ardhjes, e po më 18 dhjetor bie edhe përkujtimi i festës së shën Malakisë
profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin
e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke
e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.