2011-12-10 17:28:06

Loreto kremtoi Solemnitetin e Ardhjes së Shtëpisë Shenjte.


Sot paradite në Shenjtëroren mariane të Loretos, u kremtua një Meshë solemne në të cilën, si çdo vit, morën pjesë shumë besimtarë. Ndërmjet tyre, edhe përfaqësi të shumta të Armës së Aviacionit ushtarak. Kujtojmë se Zoja e Loretos është Pajtore e Aviacionit.
Sipas traditës, Shtëpia e Zojës në Nazaret, e përbërë nga tre mure të thjeshta guri, mbështetur në hyrje të një shpelle të zgavruar në shkëmb, pas dëbimit të të krishterëve nga Palestina nga ana e myslimanëve, u shpëtua prej rrënimit të sigurtë e përfundimtar dhe, në vitin 1291 u mbart në Tersat, në Kroacinë e sotme; ndërsa më 10 dhjetor 1294, pas një mbartjeje të dytë, u vendos në Loreto, ku vijon të jetë edhe sot.
Kur flasim për Shtëpinë Shenjte, për këto tre mure misterioze, duhet të kujtojmë gjithnjë se ajo, që tradita popullore ka menduar, ka besuar e ka dashur deri tani, bëhet gjithnjë më tepër një realitet historik e arkelologjik. Jemi, pra, para Shtëpisë së vërtetë të Nazaretit, gjë që na e forcon edhe më shumë mahnitjen para këtij vendi, prej nga vjen mesazhi i heshtur i Marisë, që i ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit!
Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e Marisë, në çastin kur Ajo iu përgjigj "po" ëngjëllit, filloi ngjarja më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Zoti. Zoti u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe mund t'i ndodhte njeriut? E kjo ngjarje e mahnitshme u kremtua sot, duke kënduar "Magnificat" - "Zemra ime madhëron Zotin"! që jehoi përsëri ndërmjet mureve të lashta, shoqëruar me lutjen, drejtuar Nënës së Zotit: "O Mari, në zemrën tënde jeton përgjithnjë kujtimi i ditës së madhe kur the "Po". Ti kthehesh pambarimisht në shtëpinë e vogël të Nazaretit dhe mahnitesh përpara Kryeengjëllit Gabriel, që të sjell lajmin se Zoti dëshiron të bëhet njeri, si ne. E sot ne hyjmë në zemrën tënde, për të shijuar mrekullinë që provove atë ditë sa të largët, aq të afërt, ditën kur the "po". Dëshirojmë të jetë dita e "po" sonë, e ta themi së bashku me ty, o Mari!".
E, së fundi, kujtojmë se emri i Loretos lidhet ngushtë me Të Lumen Nënë Terezë. 18 vjeçe, Ajo vendosi të hyjë në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos. Ndërsa duke nisur nga viti 1928, për më se 20 vjet, dha mësimin e historisë e të gjeografisë në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës.










All the contents on this site are copyrighted ©.