2011-12-10 17:24:26

Kardinali Ranjith në Sri Lankë: “Të tërhiqen menjëherë akuzat kundër motrave të Nënë Terezës”


Kardinali Malkolm Ranjith, kryeipeshkëv i Kolombos, qyteti më i madh i Sri Lankës, u kërkon mediave kombëtare të tërheqin sa më shpejt akuzat e pabazuara kundër Misionareve të Dashurisë së Nënë Terezës. Ai vetë nuk do të marrë pjesë në asnjë veprimtari institucionale, parashikuar për Krishtlindje, derisa të dalë në dritë e vërteta.
Por cili është problemi? Një nga murgeshat e Nënë Terezës, motër Meri Eliza, që drejton një shtëpi për vajza nënë, akuzohet se “shet fëmijë”. “Misionaret e Prem Nivasës (kështu quhet shtëpia), nuk kanë shitur asnjëherë ndonjë fëmijë dhe as ia kanë dhënë për birësim ndonjë çifti të huaj, apo srilankez, pa ndjekur procedurat e parashikuara me ligj”, deklaron kardinali Ranjith. Funksionarët qeveritarë e kanë kontrolluar disa herë shtëpinë e motrave, duke gjetur gjithçka në rregull, gjë që e kanë deklaruar edhe zyrtarisht. Kryeipeshkvi i Kolombos kritikon ashpër gazetat lokale, të cilat flasin për fëmijë të shitur për para, nga 230 deri në 4.500 euro e madje ngrenë pikëpyetje edhe mbi faktin se jashtë shtetit birësohen kryesisht fëmijë me të meta fizike, duke aluduar për mundësinë e trafikut të organeve. “Janë akuza të rënda e të rrezikshme – thekson kardinali – por krejtësisht të rreme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.