2011-12-09 18:32:10

Refugjatët dhe apolidët. Imzot Tomazi: “Në të ardhmen, të punohet për kulturën e mbrojtjes”.


Selia Apostolike është ndërmjet 26 shteteve, të cilat në vitin 1951, morën pjesë në punimet, që çuan në shpalljen e Konventës për statusin e refugjatëve. E kujtoi dje, vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Tomazi, në fjalimin e mbajtur me rastin e kremtimit të 60-vjetorit të kësaj ngjarjeje si dhe të Konventës për kufizimin e rasteve të apolidisë, domethënë, për kufizimin e numrit të njerëzve pa kombësi.

Përçapje etike për çështjen e refugjatëve, e njëkohësisht, përpjekje e re për t’i shkulur nga rrënjët shkaqet e shpërnguljeve të detyruara si dhe për t’i mbrojtur njerëzit në lëvizje. Shikonte kah e ardhmja, imzot Tomazi, në fjalimin e tij në Gjenevë. Për të treguar udhën, në të cilën duhet ecur, kujtoi fjalët e Benediktit XVI në enciklikën ‘Caritas in Veritate”, duke shprehur edhe besimin se koncepti i ‘familjes së kombeve’ do të fitojë, më në fund, forcën e duhur. Në enciklikë, Ati i Shenjtë vë theksin mbi nevojën urgjente të përfshirjes së kombeve më të varfëra në proceset vendimarrëse, sepse vetëm kështu mund të arrihet në bashkëpunimin e vërtetë ndërkombëtar, që ka për qëllim zhvillimin e mbarë popujve të Tokës nën shenjën e solidaritetit. Refugjatët nuk kanë munguar kurrë në histori: përkundrazi, janë pjesë e saj, ngulmoi prelati, duke kujtuar, më pas, se numri i tyre i sotëm, 33 milionë vetë, me të cilët merret Komisariati i Kombeve të Bashkuara, si dhe vuajtjet e tyre, vijojnë të sfidojnë ditë për ditë ndërgjegjen e të gjithëve. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë u ndalua edhe tek e drejta e njerëzve për të ikur, kur u rrezikohet jeta: argument, ky, ende i hapur, që kërkon zhvillimin e një kulture, e cila bazohet më shumë mbi mbrojtjen në vendlindje, por pa harruar edhe të drejtën për të hyrë në vende të huaja, duke pasur parasysh si të mirën e shoqërisë strehuese, ashtu edhe nevojat e kërkuesve të strehimit. Imzot Tomazi, në vijim, vuri theksin mbi të drejtën universale të lirisë së besimit dhe mbi të drejtën e lëvizjes e të punës, për të ndihmuar familjen. Lidhur me këtë, kujtoi se kampet e strehimit të refugjatëve duhet të jenë të përkohshme, sepse e bëjnë të pamundur punësimin ligjor. Së fundi, kujtoi edhe të drejtën për të ndjekur shkollën, si dhe një formë për t’i mbrojtur vajzat nga dhuna.








All the contents on this site are copyrighted ©.