2011-12-09 18:51:03

KKE-ja krerëve të Evropës: të ulet borxhi, pa goditur më të brishtët


Të merren masa për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga kriza e tregjeve, pa harruar nevojat e njerëzve dhe parimin e solidaritetit: kjo është thirrja e Komisionit “Kisha dhe shoqëria” e Konferencës së Kishave Evropiane (KKE) drejtuar krerëve politikë të Bashkimit Evropian, mbledhur në Bruksel. Konferenca, ku bëjnë pjesë 125 kisha ortodokse, anglikane dhe protestante, deklaron se është shumë e shqetësuar për krizën më të thellë, që duhet të përballojë Evropa, që nga lindja e saj. Kishat e krishtera janë të vetëdijshme se shtetet anëtare duhet të veprojnë së bashku; vetë ideja e Bashkimit Evropian është në rrezik.
“Shtetet nuk mund të vazhdojnë të jetojnë në kurriz të të tjerëve e të brezave të ardhshëm, duke u zhytur veç në borxhe – thuhet në notën e tyre – e është e qartë gjithashtu, se ulja e borxhit aktual nuk mund të arrihet vetëm me masa, që godasin njerëzit më të brishtë të shoqërive tona, si emigrantët, të rinjtë dhe të moshuarit, ata që paguhen keq e të papunët”. Konferenca u kërkon autoriteteve evropiane ta dëgjojnë zërin e protestave, për të vepruar mbi bazën e parimeve e të vlerave etike, që gjithnjë e kanë karakterizuar kontinentin.







All the contents on this site are copyrighted ©.