2011-12-08 18:39:13

Papa, në sheshin e Spanjës në Romë: Kisha e persekutuar, por të ketë frikë vetëm nga mëkati i anëtarëve të saj


Kemi nevojë për ndihmën e Virgjërës Shenjte. Kemi nevojë për mbështetjen e shën Marisë, Nënës së Zotit:

“Kemi nevojë, sidomos në këtë çast të vështirë për Italinë, për Evropën, për vende të ndryshme të botës. Maria na ndihmoftë të shohim se ka një dritë pas perdes së mjegullt, që duket sikur e mbështjell realitetin. Prandaj edhe ne, sidomos në këtë solemnitet, nuk rreshtim së kërkuari me besim birnor ndihmën e saj: ‘O Shën Mari, e zënë pa mëkat, lutu për ne, që ty të drejtohemi’”.

Sipas traditës, sot pasdite, Papa Benedikti XVI shkoi në sheshin e Spanjës në Romë për të nderuar shtatoren e shën Marisë në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Duke u nisur nga një pjesë e Zbulesës së Shën Gjonit, ku flitet për gruan e veshur me diell, me hënën nën këmbë e me një kurorë me 12 yje në kokë, Ati i Shenjtë reflektoi mbi nevojën e besimit tek shën Maria, Nëna e Zotit e tek Kisha. Vërtet, figurativisht, Shën Gjoni Ungjilltar përshkruan pikërisht këto të dyja.

Papa shpjegoi me radhë të gjithë simbolikën e Zbulesës. Zoja është rrethuar me dritë, sepse ajo është “hirplotë”, e mbushur me dashurinë e Hyjit e pasqyron dritën e “diellit”, që është Zoti. Shën Maria mban nën këmbë hënën, që është simbol i vdekjes, të cilën e shkel, sepse jeta e saj është tërësisht e lidhur me jetën e Birit të vet, Jezu Krishtit, i cili e mundi vdekjen. Edhe Maria, për hirin e Tënzot, e la vdekjen pas:

“E kjo duket në dy misteret e mëdha të ekzistencës së saj: në fillim, kur u zu pa mëkat të rrjedhshëm, që është misteri, të cilin e kremtojmë sot; dhe, në fund, kur u ngjit me trup e me shpirt në qiell, në lavdinë e Hyjit. Por edhe krejt jeta e saj tokësore është fitore mbi vdekjen, sepse shpesh krejtësisht në shërbim të Zotit, në përkushtim të plotë për Të e për të afërmin”.

Zoja mban në kokë kurorën me 12 yje, simbol i 12 fiseve të Izraelit. Kjo shenjë na tregon jo vetëm që Virgjëra është në qendër të Popullit të Zotit, shpjegoi Benedikti XVI, por përfaqëson edhe Kishën, bashkësinë e krishterë të të gjitha kohrave:

“Ajo (Zoja) është shtatzënë, mbart në kraharor Krishtin, që duhet ta lindë për botën: ky është edhe mundimi i Kishës shtegtare mbi tokë, e cila mes ngushëllimit, që merr prej Zotit, dhe persekutimeve të botës, duhet t’u çojë Jezusin njerëzve”.

Kjo është edhe arsyeja, që Kisha has në kundërshtimin e fortë të atij, i cili në Zbulesën e Shën Gjonit përshkruhet si një kulçedër e madhe e kuqe, që përpiqet ta gëlltitë Jezusin, por më kot, pasi përmes vdekjes e ringjalljes, Ai është ngjitur në qiell e rri në të djathtën e Atit. Prandaj, duke mos mundur t’i bëjë gjë Birit, i drejtohet gruas, Kishës:

“Por në çdo epokë, Kisha mbahet nga drita dhe nga forca e Zotit, i cili e ushqen në shkretëtirë me bukën e Fjalës së vet dhe me Eukaristinë e Shenjtë. E kështu, në çdo përpjekje, përmes çdo sprove, që has gjatë kohrave, në anë të ndryshme të botës, Kisha vuan persekutimin, por del fitimtare. Pikërisht në këtë mënyrë, bashkësia e krishterë është prania, garancia e dashurisë së Zotit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit”.

Por si duhet të jetë kjo Kishë e nga çfarë duhet të ruhet? Papa iu rikthye edhe një herë, një argumenti të trajtuar shpesh, në përpjekjen për ta pastruar bashkësinë e krishterë, që veprat e saj të shkëlqejnë para syve të Zotit:

“I vetmi kurth nga i cili Kisha mund e duhet të ketë frikë është mëkati i anëtarëve të vet. Vërtet, ndërsa shën Maria është e Papërlyer, e pastër nga çdo njollë mëkati, Kisha është e shenjtë, por njëkohësisht e shenjuar nga mëkatet tona”.

Zoja, përfundoi Ati i Shenjtë, është ndihma për Kishën, për Popullin e Zotit, i cili i lutet Asaj ta shoqërojë në rrugën e fesë, t’i japë guxim për të ndjekur të gjitha normat e jetës së krishterë e të ndezë shpresën në zemrat e të gjithëve.

Para se të arrinte tek shtatorja e Zojës, në sheshin e Spanjës, Papa u ndal para kishës së Trinisë së Shenjtë, ku mori një dhuratë nga Shoqata e Tregtarëve të rrugës Kondoti, një nga rrugët më të famshme të Romës. Para se të kthehej në Vatikan, bekoi kurorën me lule për Zojën.







All the contents on this site are copyrighted ©.