2011-12-08 18:40:14

Kremtimi i Zojës së Papërlyer në Sheshin Spanja në Romë


Sot pasdite Shenjtëria e Tij Benedikti XVI, sipas traditës, shkoi në Sheshin romak të Spanjës për ti shpreh nderimet shtatores së Zojës së Bekuar të Papërlyer. Benedikti XVI shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur një tufë me lule e për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës në Romë, ku Papa Gjon Pali II më 1995 pati përuruar misionin qytetar në përgatitje të Jubileut të Madh të 2000-shit, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7. 30 një zjarrfikës i dhuroi shtatores së Virgjërës Mari kurorat e para me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.

Vizitën e parë te këmbët e kësaj shtatoreje e bëri Papa Piu XII më 1957.

Ndërsa sot, te këmbët e Shtatores së Zojës të zënë pa mëkat, u gjunjëzua Papa Benedikti XVI. Ati i Shenjtë Ratcinger iu lut Zojës së Papërlyer për Romën, për Kishën dhe për Botën mbarë. Shenjtëria e tij theksoi atë që përbën kuptimin themelor të festës: në Zonjën, e përvuajtur e më të lartë se çdo krijesë, hiri hyjnor korri fitoren e plotë mbi të keqen, duke e bërë Atë model të ndritshëm për të gjithë njerëzit, shtegtarë nëpër rrugët e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.