Atë Bernardin Palaj ofm në përvjetorin e martirizimit
Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar sot më 8 dhjetor përvjetorin e vdekjes
së Atë Bernardin Palajt, françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, folklorist,
studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj
që njihet si "shkolla letrare e fretërve". Atë Bernardini lindi më 2 tetor
1894 në një familje me origjinë nga Shllaku.. Mësimet e para dhe të mesme i mori
në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në
Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime
në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar. U
kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer
si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të
mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone.
Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare
shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllain, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës
shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit
e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për
herë të parë dritën e shtypit. Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës,
posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”.
Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe
librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda"
(ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj. Si shpërblim për të
gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një
ditë ogurzezë të vitit 1947 më 8 dhjetor, u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur,
që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt
mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor
i lirisë. Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë
e tij u interesua vazhdimisht Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për
të. Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës,
duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. Në vitin 2006, vit i 115- vjetorit
të ditëlindjes së tij, Atë Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë
të martirizuar nga komunizmi për t’u lartuar në nderimet e elterit!