2011-12-08 09:38:56

8 dhjetori 1990 fillimi i rënies së regjimit komunist në Shqipëri


Sot bie përvjetori i datës së 8 dhjetorit të vitit 1990, ditë e rinisë dhe e pluralizmit në Shqipëri, që solli rënien e regjimit komunist ateist dhe lirinë demokratike, ditëlindje e vërtetë të lirive dhe të drejtave të mbarë qytetarëve shqiptarë.
Pra si sot më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri. Pra 8 dhjetori, është një ditë që simbolizon rënien e regjimit komunist në vend, 19 vite me parë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Studentët protestues të nëntorit në Shkodër e të dhjetorit '90 në Tirane kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore, duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik.
Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur, e kjo edhe ndoshta është një ndër mangësitë që demokracia e re ka, atë të mos gjykimit e të mos dënimit publike të diktaturës gjakatare, si dhe të mos shpërblimit të atyre qytetarëve e personaliteteve që qenë viktima të urrejtjes dhe errësirës komuniste. Koha tregoi se të pushtetshmit vazhduan të qetë jetën dhe karrierën e tyre, madje edhe në udhëheqje e në drejtim të shtetit, shoqërisë, të partive e të biznesit. Kjo ditë duhet të sjell ngadalë në dritë të Vërtetën për atë që ka ndodhur, të sjell në dritë martirët e lirisë e të pluralizmit të demokracisë që flijuan jetën, për të mos i thënë po gënjeshtrës, errësirës, dhunës, urrejtjes...ata po janë Kolosët e kësaj Dite, është meritë e tyre nëse sot qytetarët e Shqipërisë gëzojnë lirinë e pluralizmin demokratik.
8 dhjetori i vitit 1990 është shpall si Dita e Rinisë dhe e Pluralizmit nga Kuvendi i Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.