2011-12-08 19:39:43

50 vjetorit të Meshtarisë dom Antonio Sciarrës në Shqipëri


Në kuadër të 50 vjetorit të Meshtarisë dhe me kërkesë të Ipeshkëvit të Dioqezës së Sapës, Papa Benedikti XVI i akordon titullin “Prelat Nderi i Atit të Shenjtë” misionarit italian Dom Antonio Sciarrës. Me rastin e dorëzimit të këtij titulli ditën e shtune, datë 26.11.2011, Misioni Katolik Blinisht pati nderin të organizonte ceremoninë e dorëzimit nëpërmjet Meshës së Shenjtë për të falenderuar Hyjin për këtë bir të Kishës dhe për t’i kërkuar hirin që ëndrra – Shqipëri të mund të qartësohet në rrugë të reja…
Të bashkuar në Kishën e Shenjtërve dhe Martirëve Shqiptarë, morën pjesë përfaqësuesi i Atit të Shenjtë në Shqipëri, Nunci Apostolik, Imzot Ramiro Moliner Igles, Ipeshkëvi i Sapës, Imzot Lucian Avgustini, Meshtarë e Motra, autoritete civile, misionarë nga dioqeza e Avezzanos në Itali dhe besimtarët e kësaj bashkësie. Kremtimi Eukaritisk u udhëhoq nga Imzot Ramiro në bashkëkremtim me meshtarët pjesëmarrës, dhe të gjithë së bashku nëpëmjet kësaj flije të Shenjtë falenderuan Zotin dhe i dhanë lavde atij për 50 vjetorin e shërbimit meshtarak të Dom Antonios për Zotin, Kishën dhe besimtarët, ku një pjesë të këtij shërbimi ia kushtoj për 18 vite punës dhe ringjalljes së fesë në zemrat e besimtarëve të fshatrave të Zadrimës në Shqipëri. Edhe për mua si bari i Dioqezës së Sapës, është kënaqësi e veçantë tha Imzot Lucjani, që në këtë ditë të gëzueshme të falenderoj Zotin për meshtarinë e Dom Antonio Sciarrës, e falenderoj personalisht për dashurinë e shprehur në këtë vend, në këtë popull kaq të vuajtur dhe të uritur për Zotin, ku më së tepërmi ua ke shuar urinë me Fjalën e Zotit dhe me sakramentet e shenjta, por pa harruar dhe promovimin e vlerave humane dhe kulturore, për përmirësimin e kushteve jetësore duke mos kursyer energjitë tuaja në shërbim të misionit të kishës në tokën martire, përfundoi Ipeshkëvi i Sapës. Edhe Nunci Apostolik solli përshëndetjet e përzemërta të Papa Benediktit XVI që shpirtërisht është i pranishëm tha ai me lutjet dhe mendimet e tija, duke na shoqëruar gjatë kësaj ceremonie. Më pas u lexua Dekreti në të cilin thuhej: “Papa Benedikti XVI, Kreu suprem i Kishës Katolike, të bën ty o bir i dashur urimet dhe të jep Bekimin Apostolik. Me shumë kënaqësi duke u afruar me gëzim në shpirt dëshirojmë të të emërojmë Prelatin tonë të Nderit. Këtë e vendosëm, e kryem dhe e njohëm. Ty të takojnë të gjitha privilegjet dhe të drejtat e posaçme që i përkasin këtij posti sipas udhëzimeve të lëshuara nga Sekretaria e Shtetit”. Lëshuar në Romë, Bazilika e Shën Pjetrit 11 gusht 2011, firmosur nga Kardinal Tarcizio Bertone, Sekretar i Shtetit. Ndërsa iu dorëzua dekreti dhe veshja, zyrtarisht Dom Antonio Sciarra mori kështu titullin Mons. Antonio Sciarra. E po në këtë ditë Mons. Antonio Sciarra u shpall qytetar nderi i komunës Marcheno në Itali, titull që iu dorëzua nga Kryekomunarja zj. Barbara Morandi. Në fund mes emocioneve të shumta vetë Mons. Antonio Sciarra falenderoi përzemërsisht Shkëlqesinë e tij Papa Benediktin e XVI, Nuncin Apostolik, Imzot Lucjan Avgustinin si dhe të gjithë të pranishmit.
Kujtojmë këtu se me 5 janar të vitit 2010, Mons. Antonio Sciarra është dekoruar edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhërin Nënë Tereza me motivacionin “Për veprimtari të gjerë dhe kontribut shumëvjeçar në ndihmë të njerëzve në nevojë në Shqipëri si dhe të emigrantëve shqiptarë në Itali” . Nga Vau Dejes na njofton Violeta Marashi..... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.