2011-12-07 16:11:22

Sot bie 15-vjetori i krijimit të dioqezës së Rrëshenit


Sot më 7 dhjetor 2011 dioqeza katolike e Rrëshenit shënon sot 15 vjetorin e themelimit nga Papa Gjon Pali II, i Lumi Wojtila. Më datën 7 dhjetor 1996 Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II në vend të Abacisë territoriale të Oroshit, themeloi dioqezën e re shqiptare të Rrëshenit duke emëruar edhe ipeshkvin e parë të saj në personin e imzot Angjelo Massafra, françeskan. Dioqeza e re e Rrëshenit (Mirditë), e themeluar në zëvendësim të Abacisë së Oroshit, përfshin rrethet e Rrëshenit, Burrelit, Bulqizës dhe Peshkopisë.
Me rastin e 15 vjetori të kësaj dioqeze dje më 6 dhjetor 2011 në pallatin e kulturës në Rrëshen u mbajt ceremonia festive përkujtimore organizuar nga dioqeza dhe bashkia e Rrëshenit. Në këtë kremtim morën pjesë ipeshkvi i Rrëshenit Kristoforo Palmieri imzot e kryebashkiaku Ndue Gega, Nunci Apostolik në Shqipëri, imzot Ramiro Moliner Ingles, Konsulli i Italisë në Shkodër, Roberto Andreoti, banorë dhe artistë të Ansamblit ‘Mirdita’, e shumë besimtarë e qytetarë nga e gjithë dioqeza.
Mysafir nderi në ceremoninë festive ishte Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, i cili me rastin e 15-vjetorit të themelimit të dioqezës së Rrëshenit u prit nga ipeshkvi, misionarët katolikë e besimtarët e qytetarë me një përzemërsi të ngrohtë e miqësore.
Në kryeqendrën e rrethit të Mirditës, presidenti i Shqipërisë e vuri theksin pikërisht tek traditat dhe vlerat e banorëve të kësaj zone.
“Mirdita me historinë dhe njerëzit e saj është një binom unik qëndrese e madhështie. Që në agimin e historisë, ajo u identifikua me emrin që ka sot, duke ruajtur lirinë, besimin, doket, dinjitetin dhe kanunin e saj legjendar.”- deklaroi presidenti Topi.
Me këtë rast presidenti Topi dekoroi 3 personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar për Rrëshenin, duke i dhënë urdhrin “Nënë Tereza”, ipeshkvi katolik imzot Kristoforo Palmierit me motivacionin: “Për kontributin e çmuar si misionar i fesë katolike në Dioqezën e Rrëshenit e më gjerë, veçanërisht me ndërtimin e një sërë kishave, si dhe me ndihmën e dhënë njerëzve në nevojë për strehim, arsimim dhe jetesë”; misionarit italian atë Lino Nikolait, Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar që ka dhënë si misionar i fesë katolike, në përhapjen e vlerave humane të paqes e dashurisë njerëzore dhe për ndihmën në ndërtimin e një sërë kishave në Dioqezën e Rrëshenit”, si dhe familjarëve të Preng Pjetër Filopatit (pas vdekjes), Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, me motivacionin: “Mësuesit të nderuar që me përkushtim dhe sakrificë vuri gjithçka në shërbim të përhapjes dhe zhvillimit të arsimit në Mirditë e zonat përreth, duke e vlerësuar atë si një faktor themelor të vet progresit të vendit”. Fjala e Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi mbajtur në Rrëshen

Të nderuar bashkëqytetarë,

Është kënaqësi e madhe për mua që sot gjendem në Rrëshen në qendrën e Mirditës , kësaj krahine kaq identitare të Shqipërisë dhe me lejoni të them që në fillim të fjalës time se e konsideroj privilegj që jam qytetar nderi i këtij qyteti. Këtu jam ndier gjithmonë si në shtëpinë time dhe më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve ju dhe të afërmit Tuaj kudo që janë!

Të dashur miq,

Më lejoni të shpjegoj pse për mua Mirdita është kaq e përzgjedhur!
Mirdita me historinë dhe njerëzit e saj është një binom unik qëndresë e madhështie. Që në agimin e historisë ajo u identifikua me emrin që ka sot duke ruajtur lirinë, besimin, doket dhe kanunin e saj legjendar.

Pas epopesë së ndritur të Gjergj Kastriotit, mirditoret luftuan pareshtur e si luftëtarë hijerëndë do ti njihte gjithë Europa, të gjitha kronikat e historianëve të saj! Ata i qëndruan çdo pushtuesi duke dhënë shembullin e madh të krenarisë dhe identitetit kombëtar të patjetërsueshëm. Mirditoret, princat e tyre, Gjomarkajt e deri tek Preng Bib Doda kanë lënë gjurmët e tyre në Rilindjen Kombëtare dhe deri tek pavarësia e Shqipërisë. Të tjerë mirditas si Abati Preng Doçi a At Ambroz Marlaskaj ecën ngjitmas me fatin e Shqipërisë duke u shndërruar në ikona të qëndresës, të kulturës, të alfabetit shqip, të Kishës Shqiptare te mbare kombit!

Në panteonin e Atdheut aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit, Mirdita i pati me shumicë, priftërinj katolikë, intelektualë e malësorë të zakonshëm të cilët së bashku në epokën e modernitetit organizuan njërën prej qëndresave më heroike ndaj komunizmit në krejt lindjen evropiane, jo pak por në gati 10 vjet pothuaj çdo fis i dhuroi historisë sonë një martir. Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë bijtë familje fisnike te Gjomarkajve do të shndërrohen në udhëheqës e dëshmorë kundër dhunës dhe diktaturës komuniste! Nder për jetë atyre !

Mirdita juaj, Mirdita ime dhe Mirdita e jonë simbolizon traditën më të vyer shqiptare, ligjet autoktone që frymëzuan At Shtjefën Gjeçovin të mbledhë monumentin kulturor të Kanunit, qëndresën ndaj çdo kujt që kërkon ta dhunojë, besimin e fortë e të patjetërsueshëm, identitetin evropian, fuqinë e fjalës së shkruar, urtësinë e saj, fuqinë e fjalës që shpreh besë e burrni.

Me këtë respekt dhe frymëzim për historinë jemi sot së bashku për të festuar 15 Vjetorin e Dioqezës së Rrëshenit, një prej simboleve tona kulturore më të bukura.

Është rasti për të theksuar se klerikët katolikë të Mirditës gjithmonë, dje e sot, janë shfaqur si elitë e lidhur me banorët dhe gjeografinë e vendit! Gjatë persekutimit komunist ashtu si edhe më përpara bëhen martirë të besimit dhe fjalës së lirë, aq sa tashmë kanë ndërtuar kultin modern e pozitiv, kultin e pashkatërrueshëm të klerikut shqiptar!

Po ashtu në periudhën e tranzicionit gjithsecili prej jush ka pasur rast ta ndiejë dorën e tyre, forcën e besimit, përmasën e humanizmit jo vetëm më fjalë por edhe me gjeste konkrete në përputhje me nevojat dhe ekzigjencat që keni patur ! Unë dua ti përgëzoj gjithashtu institucionet fetare në Rrëshen si dhe klerikët e tyre për kontributin e vazhdueshëm në konsolidimin e harmonisë fetare në vënd, vlerë dhe pasuri e madhe kjo e kombit tonë.

Me këtë vetëdije, kam kënaqësinë dhe nderin sonte të rri, të takoj, të komunikoj dhe të dekoroj të tjerë personalitete të tjerë klerikë të Mirditës , që me veprën dhe punën e tyre, i kanë bërë nder zonës së tyre, Kishës katolike dhe besimtarëve të saj. Prandaj, në cilësinë e Presidentit të Republikës i falënderoj ata nga zemra për kontributin e tyre të vyer.

Zoti e bekoftë Mirditën dhe gjithë Shqipërinë!
Ju faleminderit.
Po mbi 15 vjetorin e themelimit të dioqezës së Rrëshenit dhe realitetin e sotëm kishtar e shoqëror, të dëgjojmë intervistën tonë me ipeshkvin e kësaj zone imzot Kristoforo Palmieri..........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.