2011-12-07 19:26:13

Përmes një tableti, Papa ndezi, nga Vatikani dritat e Bredhit të Gubios, pema më e madhe e Krishtlindjes në mbarë botën.


Një ngjarje e jashtëzakonshme, sot pasdite në Gubio, e jo vetëm: Papa, në videolidhje nga Vatikani, ndezi dritat e bredhit festiv më të madh në botë, me gjatësi 750 metra e gjërësi, 450, krijuar me drita ndërmjet mureve mesjetare, malit Inxhino e bazilikës së Shën Ubaldit, pajtor i qytetit të Umbries. Është një traditë, që përsëritet prej 31 vjetësh në Gubio, por që sivjet solli një të re prekëse, e cila u transmetua edhe nga Rai Uno. Kremtimi filloi në orën 17.30, me këngë e veprimtari tradicionale artistike. Lidhja me Papën, rreth orës 18.00. I gjithë qyteti e ndoqi përmes ekraneve si në shtëpi, ashtu edhe në mes të qytetit, në Sheshin e Martirëve, ku ishte vendosur një ekran i denjë për madhësinë e Bredhit të Krishtlindjes, që do të ndriçohej pas pak në Gubio, jashtë qendrës historike, që të duket mirë i tëri.
E pastaj, qyteti mikpriti simbolikisht vetë Atin e Shenjtë, që i drejtoi përshëndetjen e, përmes teknologjive moderne, duke aktivizuar, me rrugë telematike lidhjen me kuadrin e përgjithshëm elektrik të kompozimit, ndezi Bredhin e krijuar me drita.
“E pranova me kënaqësi ftesën për të ndezur dritat e Pemës së madhe të Krishtlindjes, e cila çdo vit sundon mbi qytetin e Gubios”. Janë fjalët e para të përshëndetjes së Papës i cili, në vijim, bëri një urim të trifishtë:
“Urimi i parë, që shikimi ynë, ai i mendjes e i zemrës, të mos ndalet vetëm në horizontin e kësaj bote, në sendet materiale, por të jetë pak a shumë, si ky Bredh, të drejtohet kah majat, kah vetë Zoti. Ai nuk na harron kurrë, por do të ishte e mira që, edhe ne, të mos e harrojmë”.
Në vijim, Papa u kujtoi qytetarëve të Gubios, që ndiqnin një ngjarje kaq prekëse, se Natën e Krishtlindjes, një dritë verbuese i mbështolli barinjtë, duke u kumtuar gëzimin e madh: Lindjen e Krishtit, atij që vjen të sjellë dritën, Atij që është vetë Drita:
“Urimi i dytë, që Bredhi vigan t’u kujtojë të gjithëve se kemi nevojë për një dritë, që t’i ndriçojë hapat tanë e të na japë shpresë, posaçërisht në kohën tonë, në të cilën ndjehet fort pesha e rëndë e vështirësive, e problemeve, e vuajtjeve, në sa duket sikur na mbulon errësira”.
Një dritë e vetme mund të na i ndriçojë vërtet zemrat, vijoi Papa, Foshnja që kundrojmë në Natën e shenjtë të Krishlindjes, që na ndihmon, na shoqëron, na ndriçon rrugën:
“Urimi i tretë e i fundit, që secili nga ne të çojë pakëz dritë në mjediset ku jeton: në familje, në punë, në lagje, në fshat e në qytet. Uroj, prandaj, që secili nga ne të bëhet dritë për tjetrin, të dalë nga egoizmi, që shpesh ta mbyll zemrën e të shtyn të mendosh vetëm për vete, e t’i dhurojë të afërmit pak vëmendje, pak dashuri”.
Edhe gjesti më i vogël i mirësisë, është si një nga dritat e këtij Bredhi vigan, përfundoi Papa, e të gjitha dritat së bashku, mund ta bëjnë ditë edhe natën më të zezë!







All the contents on this site are copyrighted ©.