2011-12-07 19:25:57

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: për të qenë të lumtur, duhet të takojmë Zotin!


Vetëm një zemër e thjeshtë, larg çdo mendjemadhësie, është e aftë të takohet me Zotin. E nga ky takim, mund të burojë lutja vërtet e krishterë. E pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa u foli për ‘Himnin e haresë” së Krishtit, që përfshihet në Ungjijtë, mijëra shtegtarëve, mbledhur në takimin e së mërkures. Është fjala për lutjen, me të cilën Zoti e bekon Atin “sepse ua fshehu lajmin e mirë të diturve e të mençurve, e ua zbuloi të vegjëlve”.
Si mund t’ia drejtojmë Zotit lutjen tonë? Duke i përngjarë Krishtit! Benedikti XVI e theksoi, në sa u fliste besimtarëve për atë, që e quajti “gur i çmuar” ndërmjet lutjeve së Jezusit e “hare mesianike”. Në krye të këtij himni të hareshëm, Jezusi përdor një folje, që na zbulon të fshehtën e lidhjes me Atin Hyjnor. Folja tregon se Krishti e njeh deri në fund të fundit Atin, por edhe e mirëkupton plotësisht. Njeh, kështu, deri në fund, mënyrën si vepron Hyji Atë. E është i vetëdijshëm dhe plotësisht një mendjeje me këtë mënyrë veprimi. Miraton, kështu, plot gëzim, Planin e Atit:
“Çdo njohje ndërmjet njerëzve, e provojmë të gjithë përmes lidhjeve tona, kërkon reciprokësi, lidhje të brendshme, pak a shumë të thella, ndërmjet atij, që njeh, me atë, që njihet. Nuk mund të ketë njohje, pa afërsi shpirtërore. Në Himnin e haresë, ashtu si në të gjithë lutjen e tij, Jezusi na tregon qartë se njohja e vërtetë e Hyjit, kërkon bashkimin me Të”.
Ja pra, ky është hapi i parë. Vetëm përmes Jezusit, që është në bashkim të përkryer me Hyjin, njeriu mund të lidhet me Atin e ta ndjejë veten bir të Tij. Por, t’i afrohesh Zotit, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, do të thotë, sidomos, të njohësh misteret e Atit. Sepse Hyji nuk u flet të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Hyji zgjedh njerëz të veçantë:
Zbulesa hyjnore nuk ndjek logjikën tokësore, sipas së cilës janë njerëzit e ditur e të pushtetshëm ata, që kanë njohuri të rëndësishme, të cilat, pastaj, ua përcjellin njerëzve të thjeshtë, të vegjëlve. Hyji zgjodhi një stil krejt tjetër: ua përcolli pikërisht më të vegjëlve misteret e veta. Ky është vullneti i Atit, e Biri e pranon me gëzim”.
Këtë gëzim, të cilin Ati e ndan me të Birin, e ndjen edhe ai që, ashtu si Jezusi, është në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor:
“Jezusi në këtë Himn hareje shpreh edhe dëshirën për t’i tërhequr pas vetes në njohjen bijnore të Hyjit, të gjithë ata, që Ati dëshiron t’i bëjë pjesëtarë; e ata, që e pranojnë këtë dhuratë, janë pikërisht të vegjlit, të thjeshtët. Fytyrën e Hyjit, në Jezu Krishtin, mund ta shikojnë vetëm ata, që e kanë zemrën të pastër, të thjeshtë, si zemra e fëmijëve; ata, që nuk janë mendjemëdhenj, që nuk mbyllen brenda vetes, duke menduar se nuk kanë nevojë për askënd, e as për vetë Zotin”.
Por duhet bërë edhe një hap tjetër. Rruga e njohjes së Ungjillit, pohoi Papa, nuk është doktrinë për t’u mësuar, e as propozim etik, për t’u pranuar, por Vetje, për t’u ndjekur: Jezusi! E Jezusi, vërejti Ati i Shenjtë, gëzohet në thellësi të shpirtit për gjënë më të çmuar: për bashkimin, njohjen, dashurinë e pashoqe me Atin e përsosurinë e Shpirtit Shenjt:
Edhe ne, përmes hirit të Shpirtit Shenjt, mund të flasim me Zotin në lutje, me mirëbesimin e bijve, duke iu drejtuar, ashtu si Krishti, me fjalën ‘Atë”, “Abbà”. Por, të mos harrojmë: duhet të kemi zemrën e të vegjëlve, të të varfërve në shpirt, për të kuptuar se nuk mund të mbështetemi vetem tek vetvetja, se nuk mund ta ndërtojmë të vetëm jetën tonë, por se kemi nevojë për Zotin, kemi nevojë ta dëgjojmë e t’i flasim”.
Pas përmbledhjes së katekizmit në gjuhët kryesore të botës, Benedikti XVI përshëndeti, si zakonisht, grupet e ndryshme, të pranishme në Sallën e Palit VI, e cila sot ishte plot me tinguj muzikorë, që e thelluan edhe më shumë atmosferën e festave: të Zojës së Papërlyer, e edhe të Krishtilindjes së afërme. Papa uroi që afrimi i Ardhjes së Krishtit të jetë për të gjithë rast i përshtatshëm, që krijon mundësinë e takimit të thellë me Zotin.
Ati i Shenjtë e përfundoi audiencën e përgjithshme, duke kujtuar pikërisht solemnitetin e Zojës së Papërlyer, që do të kremtohet nesër, e duke ia besuar ndërmjetësimit të saj të rinjtë, të cilët i ftoi t’i përngjasin Nënës së Krishtit, me zemër të pastër e të kulluar, si dhe të sëmurët e çiftet e reja, që dalloheshin ndërmjet shtegtarëve, me veshjet e tyre dasmore, bardh e zi:
“Ju, që dëshironi ta ndërtoni banesën tuaj me Hirin e Hyjit, bëjeni shtëpinë, në ngjasim të asaj të Nazaretit, vatër të dashurisë e të mëshirës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.