2011-12-06 14:17:07

Shpellat trentine të Betlehemit, në Tokën Shenjte


Krishtlindja troket tek porta. Pas portës, ndjehet gjithnjë më shumë atmosfera e Solemnitetit më të bukur të dimrit. Atmosferë përgatitje: përgatitje e zemrës, përgatitje e shtëpisë, e Shpellës së Betlehemit, e Bredhit të begatisë e të lumturisë, që ndriçon zemrat e të afërmve e të largtëve. Natyrisht kjo atmosferë është më e gëzueshme se kudo tjetër, në Betlehem, në qytezën, që pa të lindte Krishti, shumë vjet më parë. E sivjet atje arritën italianët e Trentinos, me traditën e tyre të njohur për ndërtimin e Shpellave të Betlehemit.
Më 18 dhjetor, në Bazilikën e Shën Katerinës, do të përurohet Shpella e Betlehemit, me madhësi natyrore, ndërsa në Selinë e Patriakanës Latine e në Rojtarinë e Tokës Shenjte, në Jeruzalem, do të hapen dy ekspozita, me veprat më të lashta e më domethënëse kushtuar pikërisht Lindjes së Krishtit.
Nisma organizohet nga provinca e Trentos, në bashkëpunim me Kosullatën e Italisë në Jeruzalem, Rojtarinë e Tokës së Shenjtë dhe Patriarkanën Latine të Jeruzalemit. Po rolin kryesor e kanë ‘Miqtë e Shpellës së Betlehemit”, të Trentinos, që sivjet e çuan traditën e tyre relativisht të re, atje ku ndjehet fort fryma e ngjarjes, që e ndau kohën më dysh: në kohën para e mbas Krishtit. Imzot Luigi Bresan, ipeshkëv i Trentos, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: - Ne shikojmë shtimin e numrit të Shpellave të Betlehemit edhe rrugëve. Zakonisht ngrihen në familje, në kisha e në sheshe. Por tani po i shikojmë edhe rrugëve, sepse sjellin një mesazh të pashembullt. Është bukur ta ngresh Shpellën e Betlehemit në familje. Po bukur është edhe ta shikosh papritmas në skajin e ndonjë rruge të ngushtë, ku të duket se po të pret vetë Krishti Fëmijë!
Pyetje: - Si lindi tradita e ndërtimit të Shpellave të Betlehemit në Val di Fiemme?

Përgjigje: - Punimi i drurit këtu është shumë i lashtë. Mendojmë edhe dimrat e gjatë. Natyrisht, Shpella e Betlehemit nuk mund të mos e frymëzojë artistin, të mos e frymëzojë fenë e feja, njëherësh me artin e kësaj popullsie të Val di Fiemme, të Val di Fassa, të çon në Betlehem.

Pyetje: - Një rrugë e veçantë, kjo e Trentinos që, duke u nisur nga tradita e Shpellave të Betlehemit, dëshiron t’i përcjellë mbarë botës një kumt paqeje e dashurie…

Përgjigje: - Po, kemi mundur ta çojmë edhe në toka të tjera, si Polonia, duke përfshirë edhe Romën, Vatikanin, pa harruar të kalojmë edhe në vende, që kanë vuajtur shumë, si Akuila, e rrafshuar nga tërmeti. Atje zhvilluam edhe një veprimtari solidariteti, dhamë ndihmesën tonë për rindërtimin e qytetit të Akuilës. E është vërtet i bukur edhe ku mesazh i ri, që po arrin në Tokën Shenjte: shenjë se dialogu mund të fitojë edhe në këto vise. Nga ana tjetër, ne nuk kufizohemi vetëm me traditën e lashtë. Lidhemi ngusht edhe me realitetin, prej këndej, po bisedojmë me autoritetet, si të Izraelit, ashtu edhe të popullit palestinez. Ajo, që na intereson më shumë, është popullsia vendase dhe mesazhi i paqes, Mesazhi i lindjes së Princit të Paqes, drejtuar, nga Betlehemi, mbarë botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.