2011-12-06 14:16:01

Në dhjetor, Papa kërkon të lutemi për harmoninë e paqen në botë.


“Të lutemi, që mbarë popujt e tokës, përmes njohjes e respektit reciprok, të rriten në atmosferën e harmonisë e të paqes”. Ky është ndjeti i përgjithshëm i uratës së Papës për muajin dhjetor. Në këtë kohë të fortë, kur afrohet kremtimi i Krishtlindjes, Benedikti XVI u kërkon besimtarëve të luten për paqen. E kjo temë është ndjerë fort gjithë vitin 2011, deri në çastin kulmor të takimit të Atit të Shenjtë me liderët fetarë në Asizi, në tetor të vitit, që po numëron ditët e fundit.

“Nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë dhunës!”. Që në fillim të vitit, në Meshën e 1 janarit, Benedikti XVI i kërkon mbarë njerëzimit të mos të dorëzohet përballë forcës negative të egoizmit e të dhunës, të mos mësohet me konfliktet, që shkaktojnë viktima e vënë në rrezik ardhmërinë e popujve:
“Përballë tensioneve kërcënuese të çastit, posaçërisht përballë diskriminimeve, paudhësive e intolerancës fetare, që sot godet në mënyrë të veçantë të krishterët, edhe një herë bëj ftesë për të mos rënë në prehërin e dëshpërimit e të nënshtrimit(Mesha për Ditën Botërore të paqes, 1 janar 2011)
Në Ditën e 44-t Botërore të Paqes, Papa nënvizoi se lufta është fytyra më e shëmtuar e historisë, duke ripohuar se nuk mjaftojnë më vetëm fjalët, se duhet përtërirë fryma e paqes, se liria fetare është element i domosdoshëm i shtetit të së drejtës: nuk mund të mohohet, pa prekur njëkohësisht të gjitha të drejtat e liritë themelore, duke qenë sinteza e maja e tyre.
Është mirë ta hedhësh hapin e parë të vitit të ri, me vendosmërinë për të kërkuar udhën e paqes, nënvizoi Papa e vijoi:
“Sot dëshirojmë të mbledhim në një, britmat e shumë burrave, grave, fëmijëve e pleqve, viktima të luftës, që është fytyra më e tmerrshme e më e dhunshme e historisë. Ne sot lutemi që paqja të arrijë kudo. Prandaj, posaçërisht me lutjen tonë, dëshirojmë të ndihmojmë çdo njeri e çdo popull, në mënyrë të veçantë, ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit, të ecin në mënyrë gjithnjë më të vendosur në udhën e paqes”(Mesha për Ditën Botërore të paqes, 1 janar 2011).
Me kalimin e muajve, nuk kanë të numëruar thirrjet e Benediktit XVI për paqen, në lutjet e Engjëllit të Tënzot e në audiencat e përgjithshme. Nga Libia, në Tokën Shenjte, nga Kolumbia në Bririn e Afrikës, Benedikti XVI u shpreh afërsinë e tij popullsive që vuajnë për shkak të dhunës. Një ndjenjë, që shprehet në mënyrë veçanërisht prekëse, gjatë vizitës së Papës në Varrezën romake Ardeatine, marsin e kaluar. E edhe në dhjetvjetorin e 11 shtatorit, kur bën një thirrje të fuqishme kundër terrorit, për paqen:
“Në sa i kujtoj Zotit të jetës viktimat e atentateve të kryera në këtë ditë si dhe familjarët e tyre, i ftoj drejtuesit e kombeve dhe njerëzit vullnetmirë, të mos e pranojnë kurrë dhunën si rrugëzgjidhje të problemeve, t’i bëjnë ballë tundimit të urrejtjes dhe të punojnë në shoqëri, duke u frymëzuar nga parimet e solidaritetit, të drejtësisë e të paqes” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 11 shtator 2011).
Më pas, në Asizi, 25 vjet pas takimit historik të liderëve fetar, mbledhur nga i Lumi Gjon Pali II, përsërit thirrjen drejtuar besimtarëve, por edhe jo besimtarëve, që të bëhen mjete të paqes. Papa nuk harron të njohë edhe mungesat e të krishterëve:
“Si i krishterë, dëshiroj të them, në këtë pikë: po, në histori, edhe në emër të fesë së krishterë, u përdor dhuna. E pranojmë, plot me turp. Gjithsesi, është absolutisht e qartë se ky nuk ishte përdorim, por shpërdorim i fesë së krishterë, në kundërshtim të dukshëm me natyrën e saj”(Takimi i Asizit, 27 tetor 2011).
Nga ana tjetër, në vigjilje të takimit të madh të 27 tetorit, Papa, duke kryesuar një kremtim lutjeje në Vatikan, i inkurajoi të krishterët të jenë gati edhe për martirizim, që në botë të ngadhënjejë paqja.
Prej këndej mund të themi me plot gojën se kush dëshiron të bëhet dishepull i Zotit, duhet të jetë gjithnjë gati edhe për t’u bërë ballë mundimeve, për t’u martirizuar, për të humbur jetën e vet, për t’ia dhuruar këtë jetë Atij. Sepse vetëm kështu në botë mund të ngadhënjejnë e mira, dashuria, paqja:
Të krishterët nuk duhet t’i nënshtrohen kurrë tundimit të bëhen ujq ndërmjet ujqve: nuk është pushteti, forca, dhuna, që ndihmojnë në shtrirjen e mbretërisë së paqes të Krishtit. Mbretëria e paqes shtrihet me dhurimin e vetvetes, me dashurinë, deri në kulm, edhe ndaj armiqve. Jezusi nuk ngadhënjen mbi botën me forcën e armëve, por me forcën e Kryqit, garancia e vetme e fitores”(Lutjet mbrëmësore, 26 tetor 2011).Ashtu si Shën Pali – vërejti Papa - duhet të jemi gati të paguajmë personalisht, ta vuajmë në shpirtin e në korpin tonë fyerjen, moskuptimin, përjashtimin, persekutimin. Sepse nuk është shpata e ngadhënjimtarit ajo, që siguron paqen, por shpata e njeriut të vuajtur, që di të dhurojë jetën e vet. Prej këndej, thirrja e Atit të Shenjtë, drejtuar të krishterëve për t’u bërë armë të paqes, në një botë ende të copëzuar nga urrejtja, përçarjet, egoizmi, luftërat. Duhet t’i lutemi Zotit të favorizojë dialogun ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare e të sjellë një rreze drite, për të ndriçuar mendjen dhe zemrën e të gjithëve, që mllefi t’ia lëshojë vendin faljes; përçarja, pajtimit; urrejtja, dashurisë; dhuna, zemërbutësisë e, në mbarë botën të mbretërojë paqja.







All the contents on this site are copyrighted ©.